Papa Françesku është shprehur kundër vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vazhduar me dëbimet masive të emigrantëve, duke thënë se kjo politikë përbën një “krizë të madhe” që “prek dinjitetin e tyre”.
Dëbimi i “personave që, në shumë raste, kanë ikur nga vendi i tyre për arsye të varfërisë ekstreme, pasigurisë, shfrytëzimit, persekutimit ose degradimit të rëndë mjedisor, fyen dinjitetin e shumë burrave dhe grave”, theksoi Papa Françesku në një letër të hapur që ai u dërgoi peshkopëve amerikanë dhe e cila u bë publike nga Vatikani.
Apeli i Papës për të gjithë besimtarët
Papa u bën thirrje “të gjithë besimtarëve dhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë të shqyrtojnë nëse këto standarde dhe politika janë legjitime, në dritën e dinjitetit të personit dhe të drejtave të tyre themelore.”
Megjithëse ai e përshkruan nisjen e një programi të dëbimeve masive si një “krizë të madhe”, Papa megjithatë njeh “të drejtën e një vendi për të mbrojtur veten” kundër emigrantëve që kanë kryer “krime të rënda” në Shtetet e Bashkuara ose në vendin e tyre të origjinës.