Duhet të bëhet një revizion i projektit “Shkupi 2014”, në mënyrë që të bëhet e dukshme brendësia e objekteve të këtij projekti. Kjo është kërkesa e Asociacionit të Arkitektëve, kryetari i të cilit Martin Panovski, në një intervistë për Radion Europa e Lirë, e konfirmoi këtë qëndrim dhe sqaroi se ata nuk kërkojnë thjesht vetëm një revizion klasik. Sipas tij, duhet të bëhet hapja e dyerve që të shihet se si është edhe brendësia e tyre.
“Fillimisht do të ketë debat ekspertësh, nga i cili do duhet të dalë ndonjë dokument, apo ndonjë studim, për atë se çfarë do të ndodhë me ato objekte, mirëpo për ta bërë këtë do të duhet të na hapen dyert që t’i shohim objektet. Ne nuk i kemi parë, shohim disa objekte nga jashtë, por si ekspert nuk do të doja të vlerësoja vetëm në bazë të pamjes së jashtme”, ka deklaruar Martin Panovski, Kryetari i Asociacionit të Arkitektëve.
Ai më tej tha se nuk munden ta dijnë nëse brenda ka diçka të mirë ose të keqe nëse nuk ju jepet mundësia për të parë brendësinë e objekteve, por vetëm pasi ta shohin atë do të mund të jepnin një vlerësim ekpertësh.
Panovski gjithashtu mendon se sipas vlerësmit të tyre si ekspert “Shkupi 2014” ka shkaktuar shumë dëme lidhur me respektimin e rregullores. Mirëpo, sipas tij ende ekziston një mundësi për të rikuperuar këto dëme.
“Mendoj që është e pashmangshme kthimi i fasadave të vjetra të objekteve si ‘namë’, sikurse objekti i Qeverisë, sepse nga ana jonë do të ishte e njëjtë sikur në mënyrë frikacake të thoshim, në rregull u shpenzuan para për t’u bërë rifasadimi dhe aq, dhe do të na shkruajnë në histori se nuk kemi bërë asgjë”, shtoi ai.
Ndërsa, sa i përket ndërtimit të objekteve të reja në Shkup, rreth çështjes së sigurisë dhe se a mund të ndihen qytetarët të sigurt gjatë fatkeqësive natyrore, siç janë tërmetet dhe vërshimet, ai mendon se fillimisht duhet të rregullohen kanalizimet atmosferike, nuk do të ndodhin fatkeqësi, siç kanë ndodhur deri më tani.
Emine Ismaili /SHENJA/
Panovski: Të zbardhet brendësia e ‘Shkupi 2014’ by tvshenjaofficial

