Praninë e prokurorit publik, Lubomir Joveski në seancën kuvendore në të cilën shqyrtohet puna e Prokurorisë, opozita e shfrytëzoi për ta kritikuar shefin e Prokurorisë Publike, duke e akuzuar se është nën ndikim të politikës dhe se është fajtori kryesor për rënien e besimit në Prokurori. Eli Panova nga radhët e VMRO-DPMNE-së, i kërkoi që në mënyrë të drejtpërdrejtë që të japë përgjigje për shumë raste dhe pyeti çka qëndron pas suspendimit të ish-shefes së Prokurorisë për Krim të Organizuar, Vilma Ruskoska?
“Ju bëtë tollovi në gjithçka që ishte e shenjtë, edhe në prokurori, edhe në gjyqësor, prandaj një nga arsyet për rejtingun e këtillë të dobët, unë do të thosha se jeni pikërisht ju. Në këtë lojë fronesh do të doja t’ju pyesja drejtpërsëdrejti dhe haptazi – sipas urdhrit të kujt filluat t’i qëroni hesapet me Vilma Ruskoskën?”, deklaroi Eli Panova, VMRO-DPMNE.
Sa u përket sulmeve, Joveski u përgjigj se është krenar me punën e tij ndërsa i hodhi poshtë akuzat se prapa suspendimit të Ruskoskës janë lëndë që kanë të bëjnë me funksionimin e pushtetit.
“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes meje dhe Ruskoskës. Luftojmë për sundimin e së drejtës, për drejtësi, për sigurimin e provave që çdokush ta dijë vendin e tij në kornizat e Ligjit për procedurë penale. Unë jam krenar, po e përsëris, krenar me të kaluarën time, me profesionin tim, me kontributin tim profesional. Si e shikoni ju këtë, ky është problemi juaj”, pohoi Lubomir Joveski, Prokuror Publik.
Sipas hulumtimit të fundit të IRI, më pak besim qytetarët kanë te gjyqësori dhe prokuroria publike ndërsa konsiderueshëm është rritur përqindja e qytetarëve që nuk mendojnë se në shtetin sundon e drejta. Vetëm 3% nga të anketuarit kanë thënë se kanë besim te prokuroria, ndërsa për gjyqësorin u prononcuan 4%.