Panik e madhe është ngritur në opinion mbrëmë dhe sot lidhur me listën e votuesve. Komisioni Shtetëror Zgjedhor paraprakisht ka njoftuar se dje ka pasur problem teknike në softuerin e listës së votuesve e cila nuk ka qenë në funksion të rregullt. Disa qytetarë janë ankuar se nuk kanë mundur të gjejnë listën. Por, nga KSHZ që dje njoftuan se problemi është tejkaluar dhe gjatë ditëve në vazhdim lista do të jetë e disponueshme për kontroll nga qytetarët. Problemet teknike nuk kanë asnjë pasojë e as ndikim në zgjedhjet parlamentare. Por, paniku më i madh u ngrit nga mediat në gjuhën maqedonase të cilët lansuan një lajm se lista e votuesve është sulmuar nga hakerë. Sipas disa mediave, këtë njoftim e kanë bërë nga LSDM-ja opozitare. Duke u thirrur në burime të kësaj partie, portalet maqedonase thanë se hakerët kanë sulmuar faqen dhe kanë fshirë disa qytetarë nga lista. Por sot, nga Komisioni Shtetërorë Zgjedhorë, kanë mohuar një sulm të këtillë kibernetik. Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së, tha për televizionin Shenja se problemet ishin të natyrës teknike dhe siguroi se problem është tejkaluar dhe softueri për kontroll të listës funksionon normalisht.
“Nuk është i vërtetë lajmi për ndonjë sulm nga hakerat. Ishte një problem teknik i cili është tejkaluar. Edhe sikur të kishte sulme të tilla, lista e votuesve nuk mund të dëmtohet pasi KSHZ ka dhe versione dhe kopje të tjera të listës dhe e njëjta në asnjë mënyrë nuk mund të dëmtohet. Tani problem është tejkaluar dhe nuk ka asnjë pasojë as për listën e as për procesin zgjedhor”, tha Jakupi.