Kthehemi pas katër muajve në arën të cilën e dhuroi për ndërtimin e shkollës fillore të fshatit Paniçar.
Si e lam ashtu edhe e gjetëm, asnjë gur nuk ka lëvizur për ndërtimin e shkollës.
Ekremi personi që i dhuroi tokën komunës thotë se nuk e ka idenë se përse po neglizhohet ndërtimi i shkollës, ndërsa shton se më mirë të kishte filluar edhe ndërtimin e shkollës vetëm dhe deri tani do ta kishte përfunduar.
“E patë shtëpinë time, një person me punë private ka bërë dy shtëpi kur don të punojë, unë nuk e di pse bëhet kaq e madhe kjo shkollë, unë më mirë të kisha lënë shtëpinë time pa ndërtuar dhe të filloja të ndërtoja shkollën vetëm. Të kisha filluar vetë deri tani do të kishte përfunduar”, tha Ekrem Jakupi.
Për të parë se ku kanë ngecur punimet për fillimin e shkollës shkuam edhe tek Komuna e Sarajit.
Përgjegjësi i arsimit fillor në Komunën e Sarajit Fari Rexhepi thotë se po punohet intensivisht që sa më shpejt të fillojnë punimet, ndërsa procedura ka ngecur tek shpronësimi i tokës.
“Pronarët e tokës nuk janë edhe pronar zyrtar me dokumente që do të thotë se pronari i kësaj toke në kadastra është dikush tjetër që ka ndërruar jetë para disa viteve. Për tu realizuar trashëgimia e pronës që të dalin pronarët aktual që na e kanë dhuruar tokën sigurisht që ka nevojë të kalon një periudhë”, u shpreh Fari Rexhepi, përgjegjës i arsimit fillor në Komunën e Sarajit.
E deri sa komuna të zgjedhë problemin e pronës, nxënësit e fshatit Paniçar do të vazhdojnë mësimin edhe këtë vit në kushte të rënda. TV21 disa herë ka alarmuar për kushtet e shkollës së fshatit Paniçar ku deri më tani asgjë nuk është ndërmarrë. Vëllezërit Jakupi shpresojnë që sa më shpejt të bëhet shkolla meqenëse druajnë se fshati po braktiset dita ditës nga kushtet e mjerueshme me të cilat po përballen banorët.