Përveç ekonomisë, industrisë, transportit, turizmit, pandemia globale do të krijojë një “ gropë të madhe” edhe në zhvillimin e arsimit, i cili mori një goditje të madhe si pasojë e mbylljes së shkollave universiteteve. Raporti i rregullt i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, rreth çështjeve ekonomike dhe sociale, së fundmi është fokusuar në ndikimin e virusit korona rrjedhat e arsimit në Ballkanin Perëndimor. Në bazë të vlerësimeve që dalin nga ky raport, mbyllja e shkollave gjatë pandemisë së virusit korona, për nxënësit do të sjellë humbje të konsiderueshme në rezultatet mësimore në të gjithë rajonin, kurse për tu rimëkëmbur dhe për tu rikthyer në rezultatet e deritanishme, do të nevojitet një kohë e gjatë. Në raport thuhet se afër 50 për qind e nxënësve nga Maqedonia e Veriut, janë analfabetë funksionalë.
Profesori universitar, Murat Aliu, për gazetën KOHA, duke komentuar raportin e BB, është shprehur se virusi korona është një fenomen që do të prodhoj pasoja të shumta pothuajse në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe kësisoj njëra ndër sferat më të prekura nga kjo pandemi, sipas tij, është arsimi në të gjitha nivelet. “Raporti i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ku si pasojë e mbylljes së shkollave nga virusi korona, parashikohet rritje e analfabetizmit funksional, është objektiv dhe i realët. Sepse për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, tre muaj, aq sa kohë sa ata nuk ndjekin procesin edukativo-arsimor, vërtetë është një periudhë kohore shumë e gjatë për moshën e tyre dhe kanë humbur nga materialet shkollore mësime të shumta”, ka theksuar Aliu. Ai mendon se pasojat në Ballkanin Perëndimor,veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, do të ndjehen në masë të madhe duke pasur parasysh edhe sistemin arsimor te ne, i cili funksionon me probleme të ndryshme vite me radhë. Sipas tij, ndër të tjerash një faktorë tjetër që do të ndikojë negativisht është edhe problemi me të cilën përballen nxënësit sa i përket ndjekjes së mësimit arsimorë online.
“Ashtu siç u raportua në Maqedoninë e Veriut, por edhe ne shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, një pjesë e konsiderueshme e nxënësve, nuk kanë ndjekur mësimet online për shkak të mos pasjes qasje në internet”, ka përfunduar ai.
Emel Aliu, studente dhe aktiviste, për gazetën KOHA, ka thënë se gjatë kësaj periudhe të virusit korona dhe izolimit, padyshim që të gjithë i kemi hasur mungesat, aktivitetet dhe angazhimet tona universitare, shkollore apo të jetës së përditshme, por sipas saj, në një farë mënyre të gjithë i kemi plotësuar ato edhe pse jo si në gjendje normale. “Analfabetizmin funksional sot është problem botërore dhe jo vetëm tek ne edhe pse të rinjtë, në këtë kohë janë më të shkathët në disa aspekte tjera por ja që diku ende ka ngecje”, thotë Aliu. Ajo në fund ka shtuar se institucionet arsimore do të duhet të mendojnë për të gjetur mënyra edhe më efikase në rast se paraqitet prapë virusi korona, sepse nuk mund të vazhdohet kështu ku efikasiteti nuk është i ngjashëm.
Ndryshe, në rezultatet e fundit të PISA-së, nxënësit e shkollave të mesme nga Maqedonia e Veriut, kanë zënë vendin e 67 për lexim dhe matematikë, ndërsa vendin e 62 për dije në shkencat natyrore, duke mbetur kështu në fund të listës së vendeve të rajonit. Përkundër faktit se Maqedonia e Veriut, gjendej në fund të listës së vendeve të rajonit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, rezultatin e vlerësoi si ngjitje pozitive në tabelë, në krahasim me dy testimet tjera paraprake.



