Shumë maturantë dhe studentë iu drejtuan Panairit të Arsimit për të parë nga afër kushtet dhe mundësitë që ofrojnë universitetet për studime deridiplomike dhe pasdiplomike. Leon Mickoski është maturant nga Prilepi. Ai dëshiron që në të ardhmen të bëhet mjek kardiolog prandaj kishte udhëtuar deri në Shkup për tu njohur me kushtet që ofron Fakulteti i Mjekësisë.
“Erdha nga gjimnazi i Prilepit sepse nuk jam i sigurt në cilin fakultet të regjistrohem. Po mendoja për Fakultetin e Mjekësisë në Shkup dhe tani do e shoh se si është”, tha një nxënës.
Dekani i Fakultetit Matematiko Natyror tha për Alsat se në institucionin që ai drejton vazhdon të mbetet i ulët numri i studentëve që dëshirojnë të studiojnë mësimdhënien e matematikës. Vetëm këtë vit, Tërpeski kujton se janë regjistruar 4 deri në 5 studentë.
“Me keqardhje mund të them se është i ulët interesimi për regjistrim në drejtimet për mësimdhënie. Se cilat janë arsyet nuk mund ti caktojmë. Ndoshta ajo se profesioni mësues po shembet. Ndoshta duhet ta ngremë sërish, ta ngremë këtë kategori të njerëzve që përfundojnë në drejtimet për mësimdhënie dhe profesioni mësimdhënës sërish të jetë në një vend më të lartë të piadestalit”, tha Davorin Tërpeski, dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore.
Në Fakultetin e Mjekësisë Veterinere këtë vit akademik janë regjistruar 35 studentë në programet në gjuhën maqedonase dhe asaj angleze.
“Në vit kemi 20 studentë në programin e gjuhës maqedonase dhe 15 studentë këtë vit në programin e gjuhës angleze. Profesioni është tërheqës dhe interesant, po kërkohet në botë. Tendenca për momentin është për kafshët shtëpiake megjithatë kuptohet se kafshët që prodhojnë ushqim janë bazë për zhvillimin e bujqësisë në një shtet modern”, u shpreh Dejan Jankullovski, dekan i Fakultetit të Mjekësisë Veterinere.
Në Panairin e Arsimit marrin pjesë më shumë se 12 universitete, më shumë se 90 fakultete, akademi dhe kompani punësimi. Sipas organizatorëve qëllimi i panairit është që studentët të zgjedhin universitetet e vendit dhe mos të largohen jashtë për studime. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska apeloi fakultetet të modernizojnë programet studimore dhe t’ju mundësojnë të rinjve të mësojnë atë që dëshirojnë dhe të mbeten për të punuar në vend./Alsat.mk