Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se për shkak të reshjeve të dendura, lumenjtë Bolnska dhe Istoçka kanë dalë nga shtrati në fshatrat Carev Dor dhe Drmeni, duke përmbytur mbi 50 shtëpi, magazina, bodrume dhe toka bujqësore. Përmbytje janë regjistruar edhe në Dolna Bela Cërkva nga lumi Golema Reka (niveli i ujit 210 cm).
“Për shkak të reshjeve të dendura, në territorin e Komunës së Resnjës ka ardhur deri te dalja nga shtrati e lumenjve Bolnska dhe Istoçka në fshatrat Carev Dor dhe Drmeni, me ç’rast janë përmbytur mbi 50 shtëpi, hapësira magazinimi, bodrume dhe tokë bujqësore. Përmbytje janë evidentuar edhe te fsh. Dolna Bela Cërkva nga dalja e lumit Golema Reka, niveli aktual i ujit i së cilës është 210 cm. Janë angazhuar ekipe të ndërmarrjeve publike, “Makedonija Pat”, NPK “Proleter”, si dhe mekanizime private – gjithsej 7 pompa për nxjerrje të ujit dhe disa eskavatorë për pastrim dhe ndërhyrje. Në lagjen Cërkvishte po përdoren të gjitha pompat e disponueshme për sanimin e objekteve të përmbytura. NP “Makedonija Pat” informon se në disa seksione rrugore ka depozitime dheu, të cilat po pastrohen sipas prioritetit”, thonë nga QMK.


