Ish kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov thotë se nuk ka negociata me Maqedoninë e Veriut derisa pakica bullgare nuk bëhet pjesë e Kushtetutës. Ky mesazh i ish kreut të ekzekutivit bullgar erdhi pas takimit me shoqatat e bullgarëve në Maqedoni. Borisov ka garantuar se mbështetja ndaj Maqedonisë së Veriut varet nga njohja e pakicës bullgare.
“Të gjendet zgjidhje në Kuvend dhe të bëhet diçka që edhe bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës si serbët, boshnjakët dhe të tjerët që më pas të mund të vazhdohen negociatat për problemet shoqërore. Kjo është e patjetërsueshme. Pa këtë nuk kemi çfarë të diskutojmë dhe këtë duhet të dinë edhe Mickoski dhe Zaev”, tha Bojko Borisov, ish kryeministër i Bullgarisë.
Përfaqësuesit e shoqatave bullgare u ankuan për qasjen jo serioze të liderëve Hristijan Mickoski dhe Zoran Zaev, duke akuzuar se qasja e tyre dallon kur janë në Shkup dhe kur shkojnë në Sofje. Borisov kujtoi se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama janë marrë vesh për çështje minutash.
“Prandaj them që pa mos e ndryshuar Kushtetutën dhe ju të inkuadroheni si bullgarë, qytetarët të Maqedonisë së Veriut, nuk do të ketë negociata. Me shqiptarët u morëm vesh për çështje minutash. Me kryeministrin Edi Rama kemi biseduar dhe sot neve i ndihmojmë Shqipërisë dhe Shqipëria i ndihmon qytetarëve të saj”, theksoi Bojko Borisov, ish kryeministër i Bullgarisë.
Kryeministri Zoran Zaev deri tani disa herë ka paralajmëruar se hapja e Kushtetutës është e nevojshme para anëtarësimit në BE me ç’rast do të përfshihej edhe pakica bullgare në preambulë. Zaev kishte paralajmëruar se bashkë me pakicën bullgare do të përfshihen edhe etnitë tjera.
Adrian Kerimi