Kandidati i pavarur për komunën e Bërvenicës, Enver Pajaziti, mbrëmë ka mbajtur tubim qendror me banorët e kësaj komune. Pajaziti para qytetarëve kërkoi mbështetje edhe për një mandat për këtë komunë, por kësaj radhe si i pavarur.
Ai falënderoi subjektet politike shqiptare, të cilat duke parë specifikën e peshës së votës, tërhoqën kandidatët e tyre për këtë komunë dhe si rrjedhojë Pajaziti tha se kjo përkrahje ia siguron fitoren më 15 tetor.
“Ajo që mua edhe më tepër më jep dhe më inkurajon është mbështetja që unë fitova nga subjektet politike, BDI, PDSh, LR –PDSh që tërhoqën kandidatët e tyre për të dhënë mundësi që kandidati i pavarur unë si Enver Pajaziti dhe një kundërkandidat prej një subjekti tjetër të jemi në një garë sadopak ndoshta reale me bashkëqytetarët tonë maqedonas. Këto tre subjekte jorastësisht nuk e patën lehtë, edhe ato kanë pasur përgjegjësi para vetes dhe elektoratit të vet të mos nxjerrin kandidat, por duke e ditur specifikën e komunës së Bërvenicës, duke e ditur rrezikun që i kanoset komunës së Bërvenicës, ato interesat kombëtare i vunë përpara atyre politike dhe partiake. E dini sa është punuar dhe e dini se si duket komuna sot. Ai kemi mbaruar të gjitha? Jo! Për atë unë e morra këtë peshë mbi supe që të kandidohem edhe një mandat që ti finalizoj të gjitha projektet që i kisha si vizion”,- deklaroi kandidati i pavarur për kryetar komune në Bërvenicë, Enver Pajaziti.
Pajaziti premtoi përmirësim të infrastrukturës, ndërtim të kanalizimit dhe rrjetit të ujësjellësit, ndriçim publik, pastrim të deponive të egra dhe ndërtim të parqeve gjelbëruese. Në arsim, Pajaziti premtoi rinovim të shkollave si dhe hapje të çerdhes në Bërvenicë. Në program të kandidatit të pavarur është paraparë edhe hapje e një poliklinike përmes marrëveshjes së partneritetit publiko-privat.