Situata politike në vend gjithnjë e më tepër po shkon duke u nxehur, Gruevski nuk pranon që të mbetet në opozitë. I njëjti ditëve të fundit ka lëshuar kërcënime nëpërmes disa deklaratave me pretekstin se në Maqedoni mund të prishet rendi i qetësisë
Profesori Universitar Ali Pajaziti pohon për gazetën Lajm se është e natyrshme se kërcënimet që bëhen nga një person që ka udhëhequr shtetin me vite të tëra nuk duhet të shpërfillen sepse pas vetes ka një masë të konsiderueshme njerëzish. Sipas tij, Gruevski ka kapacitete dhe resurse të mëdha që mund t’i mobilizojë, t’i militarizojë mendërisht, por edhe aktivisht, në skenarin më negativ.
“Por një gjë është e qartë, ky mini-Millosheviq nuk mund të bëjë gjëra shumë të mëdha duke e pasur parasysh faktin se mesazhet i janë dhënë lidhur me vijën e kuqe. Tentimet e tij për të nisur konflikt përfshirës nuk janë reale, ai mund të nxisë ndonjë xixë të përplasjeve minimale, për të gjetur alibi për krimet e bëra. Këmishëzinjtë që shfaqen janë vetëm defile mediale, “trembje e arushës me shoshë”.Megjithatë populli duhet të tregohet si deri tani i kujdesshëm dhe i ndërgjegjshëm maksimalisht, të mos provokohet nga protestuesit me porosi ekstreme-fashizoide”, deklaroi Pajaziti për Lajm.