Pajaziti: Duhet të zbatohen masa sanksionuese për ata që shfrytëzojnë apo keqtrajtojnë fëmijët
Pothuajse në çdo zonë të Shkupit, por pa lënë anash edhe qytet të tjera, vërehen fëmijë të cilët i sheh si pastrojnë xhamat e veturave, shesin facoleta, apo edhe kërkojnë lëmoshë. Disa prej tyre nuk kanë vënë këmbë asnjëherë në shkollorë edhe pse dëshira nuk ju mungon. Disa të tjerë janë edhe shkollë edhe punë.
Duke qenë në moshë të vogël, nga bisedat që kemi bërë me disa prej tyre, e pranojnë një fat të tillë si normal, shkruan Almakos.
Almakos: Që sa kohë shet facoleta?
Vogëlushja: Ohoo që moti, s’kam qenë në shkollë ende.
Almakos: Domethënë je në shkollë?
Vogëlushja: Po jam klasa e katërt
Almakos: Po a nuk të vjen mundim të zgjohesh edhe të jesh e angazhuar edhe me shkollë edhe me punë, se ti je ende e vogël?
Vogëlushja: Po pak po, se unë në mëngjes shkoj në shkollë, mandej kthehem në shpi, ha buk edhe dal, e rri deri ka ora 20/21. Po s’jam vetëm unë, e edhe motra me vllahun punojnë. Duhet me punu.
Ndërsa një tjetër ditë, krejt rastësisht më afrohet një fëmijë dhe i thotë një djali :
Vogëlushi: Teta a më blen një fanta.
Djali :Po nuk kam ku ta blej këtu.
Vogëlushi: Aman, teta, se jam lodh.
Djali: Po të t’i jap të hollat ta blesh vet?
Vogëlushi: Jo, jo se ajo atje është mami im, e mi merr menjëherë parat, a nëse e sheh se i harxhoj për fanta më rreh.
Sipas sociologut Ali Pajaziti, këta fëmijë që përdoren si vegël ekonomie apo edhe ndaj të cilëve ushtrohet dhunë, tek në nuk janë të mbrojtur sa duhet edhe pse janë vënë në syrin vëzhgues të Qendrave për Punë Sociale dhe Ligjit për familje, por të njëjtët nuk po i japin rezultatet e duhura.
” Në këtë drejtim duhet të rritet numri i punëtorëve sociale që do merren me këtë aspekt të abuzimeve prindërore, që do t’i qasen kësaj çështjeje edhe në aspektin etik, që do zhvillojnë seanca këshillimore me të dyja palët, fëmijët dhe prindërit. Ndërkohë Ministria duhet të luajë rolin e vet efektiv për piketimin e qarqeve abuzuese që manipulojnë me këtë qenie të lëndueshme, madje duhet të zbatojë masa sanksionuese ndaj tyre. Nenet 3 dhe 4 parashohin detyrimin familjar për përkujdesje dhe mbrojtje të interesave të të miturve, për fëmijët pa prindër, si dhe mbrojtjen nga dhuna familjare. Sipas nenit 47 të këtij ligji fëmijët kanë të drejtë të jetojnë prej prindërve të tyre, kurse sipas nenit 179 prindërit janë të obliguar të përkujdesen për fëmijët e tyre të mitur, madje edhe për ata të moshës madhore kanë obligim për përkujdesje në shkollim deri në moshën 26-vjeçare.”- tha sociologu, Ali Pajaziti.
Sipas tij, detyrimi i fëmijëve për të punuar është një akt i shpërdorimit prindëror të një krijese që nuk është e vetëdijshme për veprimet që bën, as për mini-tregtinë jo në kohë, është një formë e krimit, sepse e largon fëmijën nga bota e ëndrrave fëmijërore, nga përjetimi i viteve të rritjes fizike dhe psikike. Duhet një mobilizim gjithësocial, nga familjarët e afërt, fqinjësia, shkolla, mësimdhënësit, faktorët fetarë e deri të instancat penalizuese që trajtimet e këtilla të eliminohen.
Një rast i fundit i dhunës ndaj fëmijëve ishte në Gjevgjeli, ku babai nën efektin e alkoolit i ka rrahur dhe mbyllur të podrum dy fëmijët e tij.
Lidhur me këtë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, për Almakos, thonë se në proces e sipër është strehimi i përhershëm i fëmijëve në familje kujdestare, me masa të caktuara për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Nga MPPS do të ngrenë hetim për dhunë familjare nga ana e prindit dhe hetime të tjera në përputhje me Ligjin për familje dhe ligjin për mbrojtje sociale.
E ndërkohë deri sa ligjet të zbatohen dhe të funksionojnë si duhet pavarësisht nëse moti është me diell përvëlues, shi, apo borë, “ punëtorët e vegjël” do t’i shohim me kartona në duar, deri sa dikush t’i mbrojë siç e meritojnë.
Evi Shkopi
Almakos.com