Plarent Ndreca, avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj tha për gazetarët pas shtyrjes së seancës në Gjykatën Administrative, se ka një presion të shtuar dhe një “harmonizim institucional” për të mbyllur padinë kundër emërimit të Prokurorit Ols Dado në vitin 2008.
Avokati përmendi një shkresë që sipas tij nuk është autorizuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilën gjykata nuk duhet ta injoronte. Ai ngriti akuza se KLP nuk është mbledhur asnjëherë për çështjen e Dados dhe se nuk ka dalë me një vendim kolegjial.
I pyetur nga gazetarja Klodiana Lala, Ndreca nuk përjashtoi mundësinë për të bërë një kallëzim për këtë.
“Ka një shkresë pa autorizimin e KLP, gjykata nuk duhet ta injoronte. Kërkuam që kamerat të jenë online në emër të parashikimit ligjor, që përsëri u refuzua që u bazua në një udhëzim të KLGJ që nuk duhet të jetë mbi dispozitat kushtetuese dhe ligjore. Jemi në një situatë ku ka një presion të jashtëzakonshëm dhe ku tentohet që të mos shqyrtohet çështja.
KLP nuk është mbledhur asnjëherë për këtë çështje. I kërkova përfaqësueses vendimin. Nuk ekziston. Nënkryetari i KLP është shprehur në mënyrë të paligjme në emër të organit kolegjial. Referova në gjykatë dy vepra penale. Referova përpara gjyqtarit dy vepra penale. Duket sikur ka harmonizim institucional, për të mbrojtur me çdo kusht zotin Dado.
KLP është organi më i interesuar për të vërtetën dhe duhet të bëhej bashkë me ne për të verifikuar nëse zoti Dado e ushtron aktivitetin publik në bazë të kushtetutës. Ajo që duket të paktën në gjyq, është fakti se kanë harmonizim në mbrojtjen që i bëjnë zotit Dado. KLP është organi që garanton qytetarët për integritetin e prokurorëve.”, tha Ndreca.


