Alsat 2019-07-16T15:24:12+02:00
47 vjeçari Goran Spirov nga Shtipi tashmë një vit po jeton me zemër artificiale, e cila iu vendos gjatë një ndërhyrje në Klinikën “Acibadem Sistina” në Shkup. Ai thotë se po kryen rregullisht të gjitha kontrollet e nevojshme ndërkohë që shpreson në një transplantim të shpejtë të zemrës.
Tash për tash është mirë, mirëpo do të ishte edhe më mirë sikur të kisha zemër të re. Në mëngjes zgjohem, kjo është më e rëndësishme, jo vetëm për mua, për të gjithë- tha
Zemra artificiale është e njëjta madhësi si ajo natyrale. Mbushet me bateri e cila pas daljes nga spitali, pacienti mban çantë të posaçme dhe peshon 6 kilogramë. Kardiokirurgu Aleksandar Nikoliq nënvizoi se duhen bërë ndryshime ligjore në shëndetësi me qëllim që spitaleve private tu lejohet transplantimi i zemrës.
Ne jemi të përgatitur teknikisht dhe me kuadër por ajo që na pengon është ligji. Shpresojmë që do të fitojmë mundësinë dhe lejen që edhe ne të kryejmë transplantimin sikurse gjithkund në Evropë sepse siç e di unë, transplantim nuk kryhet vetëm në Maqedoni, Bosnjë- Hercegovinë dhe Mal të Zi. Ndërkohë në të gjitha vendet e Evropës transplantimi i zemrës tashmë është operacion rutinor- tha kardiokirurgu Aleksandar Nikoliq.
Krijimi i zemrës artificiale është trend në kardiokirurgjinë botërore, duke pasur parasysh faktin se është shumë më vështirë që të arrihet deri te një donator i zemrës. Operimi i lartpërmendur është i parë i këtij lloji që është kryer në vend ndërsa është i dytë në rajon, pas atij që është bërë në Beograd. Ndërsa në korniza botërore kësi lloj operimesh janë kryer gjithsej 1800. Me këtë ndërhyrje, Maqedonia e Veriut hyn në listën e 25 shteteve në botë ku kryhet ky intervenim tejet i komplikuar dhe i rëndë për kardiokirurgji.
Melihate Rustemi
Loading…



