Në vend që të luftojnë me sëmundjen, pacientët e prekur nga kanceri duhet të luftojnë edhe me stresin e shkaktuar si pasojë e mungesës së terapisë biologjike. Ana Marjanoviq, paciente e Onkologjisë rrëfen për Alsat se situata e krijuar nuk është aspak e lehtë.
“Ajo që e dimë është se gjendja psikologjike e pacientëve që kanë mbetur pa terapi në këtë moment nuk është e mirë. Gjithashtu, e dimë se kur luftoni me kancer njëra ndër gjërat më kryesore që secili doktor do të thotë është se duhet të qëndroni pozitiv, duhet më pak stres të keni dhe kjo situatë që është nuk sjell aspak pozitivitet”, tha Ana Marjanoviq, paciente dhe anëtare e Hema Onko.
Mungesa e terminëve për incizim dhe çështjet administrative janë probleme të shpeshta me të cilat përballen pacientët onkologjikë.
“Pacientët onkologjikë ende janë në labirintet e njëjta, edhe me problemet e Onkologjisë, në kuptimin e rrëmujës, mungesa e personelit ende ekzistojnë. Terminët për incizim ende janë në kaos, ende nuk dihet se në cilin drejtim pacientët onkologjikë duhet të shkojnë. Ende merremi me probleme administrative të tipit se cili mjek duhet të ju caktoj termin, apo kirurgu apo onkologu, pra kjo ende nuk është përcaktuar dhe ende është në proces se cila është zgjidhja më e mirë”, shtoi ajo.
Pacientët druajnë se edhe pas zgjidhjes së problemit me mungesën e terapisë biologjike, situata mund do të përsëritet sërish. Marjanoviq thotë se barnat që nuk përdoren shumë nga lista pozitive duhet të zëvendësohen me terapitë e nevojshme jetësore për pacientët onkologjikë./Alsat.mk