Ramadan Ramadani
Javën që kaloi në ambientet e Komunës së Çairit, u zhvillua një aktivitet kulturor i dalluar: promovimi i monografisë për fshatin Tanushë, Tanusha në rrugëtimin e saj historik nga autori Ismail Ibrahimi. Libri është botuar nga “Lena Prishtinë” por promovimin dhe mund të gjendet tek shoqata qytetare për zhvillimin e kulturës “Margus” nga Shkupi.
Në këtë libër të domosdoshëm për historinë e shqiptarisë së Shkupit me rrethinë, përveç autorit vlen të ceket edhe mundi i publicistit Fitim Nuhiu, si recensent i librit dhe i të gjithë atyre që kontribuan për botimin dhe promovimin e këtij libri me vlerë.
Unë vet sigurisht që isha në promovim, ku edhe sigurova kopje të librit, por unë aty përveç krejt cilësive isha edhe si nip; pasi dajtë e dajëve t’mi janë prej Tanushe, prandaj për shkaqe subjektive nuk mund më shumë të lavdëroj autorin dhe librin, përveç të cek se është një libër shumë i frytshëm me të dhëna.
E nga ky libër unë mësova tregiminin për heroinën dhe funksionaren e lartë komuniste maqedonase e cila gjatë luftës ndonëse e dënuar me vdekje nga okupatorët nacist dhe në kërkim nga pushteti i atëhershëm bullgar, kishte qëndruar më së paku një dimër të tërë në fshatin Tanushë.
Tregimi i plotë për Veselinka Malinska dhe Tanushën, meriton trajtimin në ndonjë vepër impozante si film ose roman, por ishte e para herë që në këtë libër silleshin dëshmi për jetesën e saj në fshat, si dhe për intervenimin e saj të mëtejmë që në njëfarë mënyre t’i shpëtojë shqiptarët e Tanushës, nga persekutimi dhe tortura nga ana e sistemit komunist, gjë që disa fshatra përreth e kanë paguar me shumë viktima; Masakrën e fshatit Bllacë, tanimë krejt e dimë dhe e kujtojmë!
Se kush ishte kjo Veselinka, ndoshta mjafton të cekim se ishte partizane prej vitit 1942, e atëherë këtu në Maqedoni ka patur gjithsejt pesë ose gjashtë partizanë, e prej tyre dy shqiptarë. Më kujtohet një polemikë e vogël me një historian autodiktat që pretendonte se e dinë këtë periudhë të historisë së Maqedonisë dhe më thoshte se nuk kanë patur lidhje shqiptarët me çlirimin partizan të Maqedonisë.
Kur unë i përmendja emra të mëvetshëm, atëherë e pranoi tha po ka patur një a dy. Harroi se për vitin që flisnim gjithsejt ishin pesë ose gjashtë, që i bie se shqiptarët edhe atëherë kanë pasë hise të madhe për çlirimin.
Të kthehemi te Veselinka dhe pasi nuk mundemi këtu t’i rradhisim krejt funksionet e larta partiake komuniste dhe shtetërore që ajo ka pas, ndoshta mjafton të shfaqim këtë foto të sajën me Titon, me të cilat është ilustruar tregimi i saj personal i ikjes dhe shpëtimit të saj nga ana e Tanushës shqiptare.
Prap do të them se ky tregim meriton një film ose roman, por ajo që dua të vë në pah se ky është një tregim me cikël të mbaruar, pra Tanusha ia ka shpëtuar jetën kësaj dhe kjo në njëfarë mënyre ua ka shpëtuar atyre jetën.
Pra, nuk është ndonjë bashkëpunim, mirësi, dobi njëanëshe, siç ka raste të shumta në historinë e Maqedonisë, mes shqiptarve dhe maqedonasve, por, këtu cikli është mbyllur si një shpëtim i dyanshëm jetik.
Kështu disi dyanshëm duhet me qenë bashkëpunimi për ngritjen, ndërtimin dhe mbrojtjen e këtij shteti, mes dy shumicave gati absolute të Maqedonisë; pra shqiptarve dhe atyre që vetidentifikohen si maqedonas. Këto dy bashkësi, bashkë përbëjnë gati 90 përqind të popullsisë, andaj politikat e mëdha gjithmonë i kanë parasysh këto numra dhe përqindje. Kurse në fazën që ndodhet ky shtet nuk ka vizion, iniciativë dhe aksion politik, më të madh se euro-integrimet.
Dhe ato kanë mbërritur në atë fazë që e dimë, që për hapjen e kapitujve duhet të hapet kushtetuta. Pra, tani dhe këtu duhet të ndodhë një bashkëpunim i suksesshëm politik mes ketyre dy bashkësive dhe përfaqësuesve të tyre, sigurisht së pari në Kuvend, e mandej edhe në qeveri.
Pra, kjo “lajmanalizë” e katërta me rradhë dhe e fundit për këtë muaj e vit, ka të bëjë me euro-integrimet e vendit, si procesi më i rëndësishëm politik në shtet dhe politikë, këtë muaj dhe këtë vit dhe edhe vitin që vjen. Dhe ka të bëjë me VLEN. Që si përfaqësues shqiptarë janë ata që duhet të shpëtojnë Veselinkën, Tanushën dhe Evropën e Maqedonisë.
Kjo lajmanalizë, është në dy pjesë, në të parën do të shtjellohen pikat e argumentimit të konstatimit të drejtë që kishte koalicioni VLEN në komunikatën e radhës se ata vet nuk mund të kryejnë këtë proces, pra VLEN edhe se ka “E” të Europës në emër; e vetme nuk mund ta ecë përpara dhe bile as ta mbajë këtë proces të euro-integrimit të vendit dhe për këtë ka shumë arsye disa prej të cilave janë:
1. Procesi i Euro-integrimit të vendit është në fazë të avancuar dhe është proces i tërësishëm që nuk mund të bartet vetëm nga një pjesë e pushtetit. Sidomos jo nga pjesët që nuk janë shumicë, nga shumica udhëheqëse, siç është rasti i VLEN.
2. Në rastin kur partnerët tjerë në udhëheqje kanë iluzione, hamendje dhe paqartësi rreth një procesi ose edhe fazave të tij, siç është rasti me DMPNE dhe ZNAM, për procesin euro-integrues të vendit dhe fazën se ku ndodhet, ateherë këto dy pjesë prishin më shumë se sa njëra pjesë e vetme mund të rregullojë ose edhe vetëm të ec e mirëmban.
3. Opozita direkte e VLEN, është Fronti Europian, që poashtu në akronim ka Euro-integrimet dhe matja e suksesit dhe dështimit politik të VLEN, matet nëpërmjet kutit të këtij procesi, që nuk është rasti me dy pjesët tjera të pushtetit që mund t’ia lejojnë vetes kalimin e kohës duke u marrë me çështje tjera.
Dhe në fund, pjesa e dytë e lajmanalizës, janë fjalë të mëdha për një proces të madh e ajo është se eurointegrimi është i vetmi kulm, alternativë dhe kahje e këtij shteti, dhe si i tillë e vetmja punë e madhe që mund të prodhon bashkëpunim politik të madh; të tjerat gjëra janë më të vogla dhe disa prej tyre bëhen vetëm me punë të ndershme përditë. Europa mund të jetë ose duket si e përçarë, e dobët, e pavendosur e shumë shumë tjera.
Por, ama, Europa neve këtu në Maqedoni na duhet edhe për neve vet. Është kahja, drejtimi dhe ana e vetme ku shqiptarët dhe maqedonasit mund të shpëtojnë Veselinkën, Tanushën, veten dhe shtetin.
Pa Europë, kjo mbetet gropë!
*Analiza nr.4 përgatitur nga Insituti për Mendim të Lirë