Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti lidhur me pandeminë COVID-19 se jo vetëm Kosova, por e gjithë bota i ka të qarta krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë, pavarësisht ndihmës që Serbia mund të ketë ofruar në këtë kohë të pandemisë.
Osmani tha se lidhur me situatën nga pandemia COVID-19 dhe me testet kanë marrë informata nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë, por e gjithë bota e ka të qartë se cilat janë krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë. Ato kanë ndodhur para syve të botës dhe i kanë dëshmu gjykatat ndërkombëtare. Serbia në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dërguar ndihma por nuk e shlyen të kaluarën e afërt që e kemi përjetuar”, tha Osmani.