Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Zëvendëskryeministren e Sllovenisë, Tanja Fajon, njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme.
Marrëdhëniet me Slloveninë janë vlerësuar si tejet miqësore, teksa Osmani ka çmuar mbështetjen historike të Sllovenisë për Kosovën dhe për integrimin e saj ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë për angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, të cilën gjë e ka treguar edhe me emërimin e një emisari special.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe përkushtimi i përbashkët i thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve në fusha të ndryshme.
Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Fajon diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit.
“Kurse sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet palë konstruktive, por Serbia me obstruksionet e saj dhe duke përdorur bandat kriminale në veri të vendit po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta pengojë dialogun”.
“Megjithatë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se synim parësor mbetet integrimi euroatlantik i Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Presidences.