Në një debat televiziv në TV Telma, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kundërkandidatit të tij nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, duke e akuzuar për tradhti të besimit të dhënë nga partia dhe qytetarët.
Osmani theksoi se Mexhiti, ish-nënkryetar i BDI-së dhe për shumë vite kryetar i Çairit, nuk ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore të vitit 2017, pavarësisht mbështetjes që kishte marrë nga partia.
“Ne i kemi besuar, kemi punuar me të. I kemi dhënë mbështetje deri në vitin 2017. Në ato zgjedhje, Izet Mexhiti nuk duhej të dilte fare në fushatë që të mund t’i fitonim. Ai nuk mori pjesë aspak në fushatë”, deklaroi Osmani.
Ai shtoi se historia po përsëritet edhe në zgjedhjet aktuale, duke kritikuar kryetarin aktual të komunës për mungesën e tij në skenën publike.
“Edhe tani nuk e kemi kryetarin aktual të komunës. Pra, ne duhet t’i fshehim kryetarët tanë që të fitojmë zgjedhjet”, u shpreh Osmani, duke nënvizuar se kjo praktikë dëmton besimin e qytetarëve.
Sipas Osmanit, qytetarët nuk duhet të shërbejnë si instrument në lojërat politike, por të kenë përballë kandidatë të përgjegjshëm, transparentë dhe me vizion të qartë për të ardhmen e komunës.
“Qytetarët meritojnë llogaridhënie, transparencë dhe vizion – jo kandidatë që fshihen për të mos i kujtuar opinionit publik dështimet e tyre”, përfundoi ai.