Politika e dyerve të hapura e NATO-s është e gjallë dhe kjo do t’i inkurajojë vendet aspirante, të cilat i ndajnë vlerat tona për tu bashkuar me familjen tonë. Këtë sot e deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në ditën e dytë të Takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s që mbahet në Bruksel, ku Finlanda zyrtarisht u bë vendi i 31-të anëtar i Aleancës.
“Dje ishte ditë historike për NATO-n. Tashmë tre vite, Maqedonia e Veriut gëzon privilegjin të jetë anëtarja më e re e NATO-s dhe dje kisha kënaqësinë që këtë titull ia dorëzova aleatit tonë të ri Finlandës, duke e mirëpritur atë në Aleancë.
Sipas Osmanit, hyrja e Finlandës në NATO është dëshmi se Aleanca është e bashkuar dhe më e fortë dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
“Maqedonia e Veriut, duke qenë anëtare e NATO-s, e ka transformuar rolin e saj në rajon nga një përfituese e mbrojtjes në një roje të sigurisë, duke ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke qenë nikoqire e dialogut Serbi-Kosovë në Ohër, duke kryesuar OSBE-në dhe aplikuar mekanizmat për të shmangur mosndëshkimin në Ukrainë dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën”, tha Osmani.
Në takimin e ministrave në Bruksel, përveç hyrjes së Finlandës në Aleancë dhe mbështetjes për Ukrainën, do të trasohet rruga për përgatitjet e radhës për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius dhe do të shqyrtohen edhe mënyrat për avancimin e bashkëpunimit me partnerët, me qëllim për t’iu përgjigjur së bashku kërcënimeve dhe sfidave me të cilat përballen anëtarët e NATO-s.