E kam privilegj që të jem udhëtari i parë në linjën e rivendosur midis Athinës dhe Shkupit e cila në mënyrën më të mirë e shënon përmirësimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve fqinje në nivel të partneritetit strategjik. Kjo do të sjellë një dobi praktike midis njerëzve si dhe në përmirësimin e biznesit dhe lidhjeve, që është qëllimi kryesor i të gjitha këtyre politikave për ngrohjen e marrëdhënieve, theksoi mbrëm nënkryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, pas fluturimit të parë të linjës së rivendosur Shkup-Athinë.
Në aeroportin e Shkupit, pas 10 vitesh, sërish fluturoi aeroplani nga Athina për në Shkup.
Në pyetjen e gazetarëve se ku bazohet optimizmi i tij lidhur me marrëveshjen me Greqinë, ai u përgjigj se bazohet në faktin që për votimin e parë kanë qenë të nevojshme 10 ditë, ndërsa, siç tha, ne shfrytëzuam pesë ditë. Duke u bazuar tek kjo, theksoi Osmani dhe duke bërë një përllogaritje për variantin e mundshëm optimist nëse nuk shfrytëzohen që të gjitha ditët të cilat parashikohen sipas rregullores si maksimale, supozimi dhe varianti optimist është se është e mundur që procesi të përfundojë deri për Vitin e Ri.

