Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka deklaruar se sot, ka informuar përfaqësuesit e komuniteti ndërkombëtar, për siç thotë ai, përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur protestat studentore si të motivuara politikisht, me këtë duke krijuar një perceptim të pasaktë për realitetin në vend.
“Sot informova përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar mbi përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur në mënyrë të shtrembëruar natyrën e protestave studentore, duke i etiketuar ato si të motivuara politikisht dhe duke krijuar një perceptim të pasaktë për realitetin në vend.
Theksova se këto përpjekje për të orientuar gabimisht partnerët ndërkombëtarë nuk reflektojnë shqetësimet reale të studentëve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e të drejtave ekzistuese.
Në këtë kontekst, sqarova edhe interpretimet e pasakta mbi opinionin e Komisionit të Venecias. Opinioni i marsit 2025 nuk trajton kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe nuk i referohet legjislacionit tonë, por fokusohet në aspektet praktike të zbatimit, si kostoja dhe mbështetja logjistike, duke theksuar se këto janë standarde minimale që duhet të plotësohen.
Në një moment kur kërkohet zbatim i plotë i të drejtave, është thelbësore që komunikimi me komunitetin ndërkombëtar të bazohet në fakte dhe në paraqitje të drejtë të realitetit”, ka shkruar Osmani, raporton SHENJA.


