
Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov sipas ekspertit juridik Osman Kadriu, nuk ka vepruar sipas Kushtetutës kur ia dorëzoi mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA, tha se roli i Presidentit është që të përcaktoj përsonin (përfaqësuesin e partisë) i cili ka shumicë parlamentare e jo personin partia e të cilit ka fituar më shumë mandate në zgjedhje.
“Në rrethin e parë të aktivitetit rreth zgjedhjes ai u përcaktua për kryetarin e VMRO DPMNE-së, por me një theks të veçantë kur u përcaktua për zotëri Gruevskin ai nuk ishte përfaqësues i partisë e cila kishte shumicë parlamentare, dhe nën dy, nuk ishte poashtu përfaqësues i koalicionit që kishte shumicë parlamentare. Kushtetuta nuk flet për fituesit, Kushtetuta flet për shumicë parlamentare”, deklaroi Kadriu.
Pasi kreu i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk arriti që të formojë koalicion qeveritar, Kadriu vlerëson se sipas traditës parlamentare mandati duhet t’i jepet partisë së dytë e cila ka fituar më shumë mandate, në këtë rast LSDM-së. Kadriu shtoi se nuk është në frymë të Kushtetutës që Presidenti edhe një herë të ia dorëzoj mandatin të njejtës parti, sikur që flitej për Nikolla Poposkin e VMRO DPMNE-së.
Nga ana tjetër, opinionisti Todorov Pendarov tha se ofertat e ndërsjella mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së të cilat nuk u bënë publike për opinionin, janë kulturë politike folkloristike ballkanike. Ai tha se është qesharake që Ali Ahmeti 20 ditë analizoi se çfarë vendimi do të marrë, për të cilën sipas Pendarovit nuk ka nevojë për më shumë se 3 ditë.
“z. Ahmeti me bashkëpunëtorët e tij në Reçicë të Vogël analizon 20 ditë të tëra se ç’duhet bërë….gjëra qesharake, përse të analizohet 20 ditë? Për 3 ditë mund të bëhen të gjitha analizat. Analizat ishin shumë të thjeshta, në fakt nuk ishin të thjeshta, por nuk kishte shumë opсione, 2-3 opsione dhe kjo është e tëra. Gruevski i mbyllur në selinë e tij partiake gjithashtu dhe ne nuk e dimë, në të vërtetë mendoj se askush nuk e di se për çka është biseduar dhe cilat janë ato pika të cilat i ka pranuar Gruevski e cilat jo, apo cilat jano ato pika të cilat Ahmeti i ka ofruar për të bërë koalicion e cilat nuk i ka ofruar Gruevski?”, tha Pendarov, i cili shtoi më tej se nuk e ka të qartë se pse Tirana dhe Prishtina zyrtare gjatë gjithë kohës mbështesin koalicionin Gruevski-Ahmeti. /SHENJA/