Alsat 2019-05-06T16:00:03+02:00
Vëzhguesit ndërkombëtarë përgjithësisht e vlerësuan si të qetë, pozitiv dhe demokratik rrethin e dytë për zgjedhjet presidenciale. OSBE/ODIHR megjithatë me vërejtje për kodin zgjedhor. Një nga mangësitë që nënvizohen në këtë raport është fakti që nuk ka dispozitë ligjore që kërkon përditësimin e listës zgjedhore në harkun kohorë mes raundit të parë dhe atij të dytë. Kjo privoi nga e drejta e votës personat që rritën moshën 18 vjeçare mes dy raundeve dhe personat që në raundin e parë kanë pasur dokumente identifikimi me afat të skaduar. Shefja e misionit Jonker kërkoi nga pushteti të fokusohet në reformat në legjislacionin zgjedhor.
Tani është koha që pushteti të fokusohet në reforma të mirëfillta zgjedhore, të ndjekura nga implementimi i suksesshëm, ë formë të tillë që ta ndërtoje dhe ta ruaj besimin e qytetarëve. Kjo do të sigurojë që edhe zgjedhjet e ardhshme të jenë të suksesshme”-tha Corien Jonker, shefe e misionit të ODIHR në Shkup.
Vërejtje edhe për transparencën dhe financimin e fushatës, e cila sipas vëzhguesve nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Mangësitë të cilat i vërejtëm në rregullat e fushatës përsëri ishin të dukshme edhe në rrethin e dytë. Kjo i pasqyron mangësitë më të mëdha në Kodin Zgjedhor. Transparenca në financimin e fushatës u zvogëlua nga raportimi jo i plotë”-pohoi Sereine Mauborgne, kordinatore e misionit të OSBE-së.
Sipas misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR vlerësimi i përgjithshëm i votimit, numërimi dhe nxjerrja e rezultateve u bë në mënyrë korrekte. Megjithatë në raportin e Misionit Vëzhgues përmenden se ka pasur indikacione për blerje votash, disa prej të cilave nuk mundën të vërtetohen nga misioni vëzhgues. Ndërsa, puna e KSHZ u vlerësua pozitivisht.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, misioni vëzhgues i ODIHR, kishte 172 vëzhgues në 32 vende, duke përfshire, 136 vëzhgues afatgjatë të afatshkurtër. Hapja u vëzhgua në 64 vendvotime, ndërsa votimi u vëzhgua në 688 vendvotime në të gjithë territorin. Numërimi i votave u vëzhgua në 71 vendvotime, ndërsa nxjerrja e rezultateve në 61 Komisione Zgjedhore Komunale.
Evi Shkopi
Loading…



