Misioni i OSBE-së në Kosovë do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave, duke hapur katër qendra grumbullimi dhe degë përkatëse nëpër Kosovë më 2 prill 2017, me prani të stafit të OSBE-së, në kontekst të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, transmeton AA.
Në një njoftim nga Misioni i OSBE-së në Kosovë thuhet se OSBE ka bërë aranzhime për shpërndarje të duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim të duhur të zonave ku gjenden personat me të drejtë vote.
OSBE ka marrë një kërkesë nga Beogradi dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës dhe është bazuar në modelet e mëparshme të vitit 2012, 2014 dhe 2016 për të ndërrmarrë këtë operacion.
OSBE do të jetë bartëse e operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetit të procesit. Procedurat do të jenë të njëjta me ato të viteve të kaluara.