Gjon Shkambi u arrestua sot si autori i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja dhe plagosjes së dy të tjerëve, në një konflikt të dyshuar për motive pronësie, ku magjistrati duket se kishte dosjen për proces.
Dy vite më parë, në konfliktin e lindur në Shkodër për shkak të një çështjeje pronësie mes palëve, Shkambi pretendonte se ishte pronari i godinave ku jetonin të paktën 31 familje.
Banorët e kishin hedhur në gjyq dhe akuzuar për marrjen e pronave. Por Shkambi pretendonte se i kishte me dokumentacione dhe i ka fituar përmes proceseve gjyqësore.
Teksa kërkonte që Përmbarimi të vepronte, duket se procesi gjyqësor ka vijuar deri në kulmimin e sotëm në përgjakje fatale.
Në vitin 2020, zyrën private të përmbarimit e kthyen mbrapsht me pretendimin se personi që pretendon se është pronari i tokës, ka dokumentet false dhe që atëherë çështja e 31 familjeve në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër, po zvarritet neper dyert e institucioneve.
Banorët e denoncuan se Shkambi po prishte banesat e tyre. Dhe kështu procesi e konflikti mes palëve ka vijuar.
Në vitin 1992, këto 31 familje, me vendim të bashkisë Shkodër janë vendosur në godinën e ish-shkollës së rezervave të ndërtimit, që pretendohet nga Shkambi.
Banorët thonë se prona është akoma shtetërore dhe dokumentet janë falsifikuar nga pretenduesi. Por Shkambi ka këmbëngulur se është pronari i tokës të ish-shkolla e rezervave.