Sëmundja e kancerit në gji viteve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese në Komunën Dibër dhe komunat për rreth. Fal aktivitetit të Ordinancës private pranë fondacionit “Florina Rusi Marke”, në shumë raste bëhet zbulimi i hershëm i kancerit në gji me çka mundësohet edhe shërimi i suksesshëm. Fondacioni “Florina Rusi Marke” është themeluar në vitin 2003 nga biznesmeni i njohur dibran Turhan Rusi dhe jep një kontribut të madh për shëndetin të gruas jo vetëm në Dibër, por edhe në shumë komuna tjera në vend, por edhe për pacientët që vijnë e që kontrollohen falas nga Kosova dhe Shqipëria.
Falë aspektit humanitar të këtij fondacioni, mesatarisht gjatë një viti në këtë ordinancë kontrollohen pa pagesë afër 600 paciente. Kadrie Duke nga kjo ordinancë informon se për 16 vitet e kaluara janë zbuluar afër 90 raste, të cilët kanë patur kancer në gji. “Duke marrë parasysh se ky fondacion ka ekspertë të njohur të kësaj lëmie siç janë Nino Vasev – onkolog, dhe Bashkim Cami – rengenolog, ka një rritje të dukshme të pacienteve që kontrollohen. Po ashtu ordinanca në fjalë posedon me të gjitha pajisjet më moderne botërore për zbulimin e hershëm të kancerit në gji”, thotë Kadrie Duka. Specialisti onkolog Nino Vasev, i cili tani më është një emër i njohur në sferën e onkologjisë, jo vetëm në vendin tonë por edhe jashtë kufijve, thotë se ka një rritje të pacienteve që ballafaqohen me sëmundjen e kancerit në gji. Ai tregon se kjo ordinancë jep një kontribut shumë të madh rreth kontrolleve të grave dhe zbulimit të hershëm të kancerit në gji.
Përveç kontrolleve pa pagesë, ky fondacion sipas programit vjetor, organizon edhe ligjërata për gratë, por edhe prezanton informata të shumta rreth nevojës që gratë në tërësi të bëjnë kontrolle të rregullta. Po ashtu, stafi profesional i kësaj ordinance ka takime të shumta edhe në shkollat e mesme, ndërmarrje dhe institucione. Në raste kur zbulohet kanceri në gji, pacienteve u mundësohet vazhdimi i shërimit dhe ekspertët të angazhuar në këtë ordinancë në kontinuitet ndjekin sëmundjen e pacientes deri në shërimin e tyre. Duke marrë parasysh nevojën për kontrolle të rregullta, por edhe stafin profesional në këtë qendër, meqë kontrollet janë pa pagesë, për çdo ditë mund të takohen gra nga qyteti i Dibrës, nga fshatrat për rreth, por edhe nga shumë qytet të tjera të vendit. Po ashtu janë të shumta edhe gratë nga viset kufitare të Shqipërisë, por edhe ato të Kosovës. Në fondacionin “Florina Rusi Marku” kontrolle realizojnë edhe grat e mërgimtarëve. (koha.mk)



