1 Janar 2019 / 15:23
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov është i bindur se Marrëveshja e Prespës do të jetësohet deri në fund. Sipas tij me Greqinë është arritur marrëveshja më e mire e mundshme për Maqedoninë. Dimitrov konsideron se përgjegjësia për fatin e Paktit me Athinën tani është në duart e Kuvendit, gjë që përbën një sfidë të vërtetë për sigurimin e mbështetjes politike për Marrëveshjen.
Linja është e hollë, por thelbësore dhe kyçe. Momenti është historik dhe e imponon nevojën për mençuri të madhe, përgjegjësi dhe vizion nga të gjithë aktorët, që ta bëjnë punën e duhur- deklaroi Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.
Dimitrov në intervistën për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, konsideron se fakti që opozita në Maqedoni dhe Greqi e sulmon Marrëveshjen edhe atë me retorikë pothuajse të njëjtë, tregon se kompromisi për një çështje të ndërlikuar është i mirë dhe i balancuar. Me Marrëveshjen, Dimitrov thotë se është hapur dera për testin e pjekurisë.
Ajo të cilën e mundëson Marrëveshja është përfundimisht, pas shumë viteve, të fillojmë të bisedojmë për tema dhe çështje reale. Jam i bindur se me politika të drejta dhe transparencë shumica e qytetarëve në të dyja anët do ta parashtrojnë pyetjen pas pak vitesh se përse nuk e bëmë këtë shumë më herët?- tha Nikolla Dimitrov.
Marrëveshja e Prespës u arrit në qershor të vitit 2018 dhe i dha fund kontestit disa dekadësh të emrit me Greqinë. Pas debatit publik, miratimit të dy fazave në Kuvend, ndryshimet kushtetuese për emrin pritet të rrumbullakohen më 16 janar. Marrëveshja e Prespës shkaktoi debate të ashpra në shoqëri në Maqedonisë midis pushtetit dhe opozitës maqedonase. Përderisa pushteti pohon se identiteti i popullit maqedonas mbetet i paprekur, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE është e bindur se identiteti maqedonas është dëmtuar dukshëm, meqë disa nene të Marrëveshjes trajtojnë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë më gjuhën, historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Arta Tahiri


