Deputetë të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kërkuan nga Qeveria që të ndërpresë dialogun teknik me Serbinë dhe të vazhdojë me bisedimet e nivelit të lartë, me qëllim arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Në një seancë parlamentare, të mbajtur të premten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, si kërkues i kësaj seance, tha se çështja e dialogut është interes kombëtar.
“Të kalojë në fazën finale dialogu, në marrëveshjen e madhe, me të cilën do të kërkohet njohja reciproke Kosovë-Serbi, në kufijtë ekzistues. Bazuar në tri parimet e dakorduara edhe me negociatorët ndërkombëtarë, pra: integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetueshmëria”, tha Haradinaj.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më vonë në nivel politik midis kryeministrash dhe presidentësh.