Një skandal financiar që kap vlerën e 2 milionë eurove është zbuluar nga policia italiane në Peruxhia, ndërsa janë lëshuar 13 urdhër-arreste, 7 prej të cilëve janë ekzekutuar.
Operacioni kompleks i koduar “Ocean”, u koordinua edhe nga policia e Peskaras, Ankonas dhe Romës. Organizata kriminale është përfshirë në një sërë aferash, si mashtrim komercial si dhe në marrjen e kredive, hipotekat etj.
Dëmi i përgjithshëm deri më tani kap shifrën e 2 milionë eurove. Hetimet nisën në nëntor të vitit 2015, pas një ankese për një biznes që merrej me shpërndarjen e ushqimeve.
Mediat italiane shkruajnë se pastrimi i parave është kryer edhe në Shqipëri. Hetimet kanë zbuluar se bëhet fjalë për një aktivitet kriminal i zhvilluar kryesisht nëpërmjet email-ve mashtruese.
Grupi kishte arritur të merrte një kredi me vlerë prej 320 mijë eurosh duke mashtruar edhe një bankë të njohur në vend.
Disa prej transfertave sipas mediave italiane, janë kryer edhe nëpërmjet një llogarie rrjedhëse nga Shqipëria, e cila rezulton të jetë kryer nga lideri i grupit, ndërsa paratë pastroheshin duke u investuar në restorante.
Hetimet për transfertat po kryhen në bashkëpunim me bankat dhe Interpolin. Shtatë prej personave janë arrestuar, ndërsa po punohet për arrestimin e personave të tjerë. /Oranews/