Altin Morina, një nga dy ish-punonjësit e policisë që u përfshinë në operacionin e përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, është arrestuar nga policia dy javë më parë.
Burime për News 24 bëjnë me dije se Morina rezulton i përfshirë në dosjen e operacionit “Ura” dhe është akuzuar për bashkëpunim me grupet kriminale. Emri i tij shfaqet gjithashtu në një tjetër dosje ku dyshohet për përfshirje në aktivitete të paligjshme.
Prokurori Vladimir Mara ka bërë me dije se nga dy punonjësit e policisë të përfshirë në hetime, njëri dyshohet se ishte anëtar i grupit të strukturuar kriminal, ndërsa tjetri për korrupsion. Përveç tyre, në fokus të hetimeve është edhe një avokat, ndaj të cilit rëndojnë akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve, përfshirë edhe ata të drejtësisë.
Vladimir Mara: Dy policët dhe avokati. Njëri prej policëve ka qenë i përfshirë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Jemi gjithmonë në fazën e dyshimeve, polici dyshohet i përfshirë në grupin kriminal me veprime aktive. Polici tjetër ka të bëjë me një episod të korrupsionit. Avokati dyshohet për 4 episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te zyrtarë të ndryshëm , përfshirë edhe zyrtarë të drejtësisë.