Onkologia Meri Peshevska, punonjëse në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji Shkup, sot para Gjykatës themelore penale Shkup e ka pranuar fajin.
Peshevska, para Gjykatës tha se nuk është e sigurt nëse e ka vazhduar terapinë për shtatë pacientët për të cilët akuzohet, sepse, siç tha, vula e saj në atë periudhë rrinte në sportel dhe ajo e ka bërë këtë me qëllim për të shpejtuar gjërat dhe për të mos pritur pacientët.
“Pohoj me ndërgjegje dhe përgjegjësi se fjalëkalimin në sistem dhe vulën time i kam lënë në sportel dhe se ato janë përdorur nga praktikantët dhe e pranoj fajin”, deklaroi Peshevska.
Peshevska së bashku me ish drejtorin e Klinikës së onkologjisë, Nikolla Vasev dhe dy onkologë të tjerë, akuzohen për mjekim të pandërgjegjshëm të pacientëve.
“Jo, absolutisht jo”, u përgjigj Vasev, në pyetjen e Gjykatës nëse ndjehet fajtor për veprën penale për të cilat akuzohet.
Në gjykatë të pranishëm janë edhe tre të akuzuarit e tjerë, Meri Peshevska, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të gjithë punonjës në Klinikën për radioterapi dhe onkologjisë në Shkup.
Prokuroria i akuzon mjekët për vazhdimin e “krimeve të rënda kundër shëndetit të njeriut” dhe “trajtimit të pakujdesshëm”, me ç’rast 29 pacientëve u janë dhënë terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa një vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore.
Përveç kësaj, kundër Vasevit dhe ish-drejtorit ekonomik të Klinikës është ngritur akuzë tjetër për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2,2 miliardë denarë për buxhetin e shtetit.