Latif MUSTAFA
Tym në Parlamentin e Kosovës. Komentet dhe gjykimet për tymin ishin nga më të ndryshmet, por në përgjithësi akti u cilësua si “dhunim i institucionit” dhe “veprim anarkik”. Le të përpiqemi që tymin, si jele kali në Parlamentin e Kosovës, ta ndjejmë si fenomen estetik, si simbol që shënjimi i tij tejkalon gjykimin moral të etikës politike dhe orientimin ideologjik. Tymi në Parlamentin e Kosovës mund të kundrohet edhe si simbol i rënkimit, dënesje dhe revoltë ndaj oligarkëve të Ballkanit. Domethënia e tymit në Parlament është një klithje e vullnetit të ndrydhur e të shtypur nga oligarkët.
Kush janë oligarkët? Oligarkët janë të tëhuajësuarit e demos-it. Ata, ngjashëm si të gjithë, ishin një pjesë përbërëse e demos-it ose popullit, individë që morën besimin për të personifikuar vullnetin e popullit në një njeri, vullnet ky i artikuluar përmes programit politik. Ata u zgjodhën nga demos-i për ta vendosur demokracinë politike si sistem, vullnetin e përgjithshëm si frymë, republikën si njëmendësi dhe logosin si shprehje e vullnetit të shumëfishuar në një vullnet të vetëm. Por, ja që me kohë këta individë, që vinin nga gjiri i demos-it, fillojnë të tëhuajësohen, të shndërrohen nga demokratë në oligarkë dhe shtypës të masës së demokracisë, popullit dhe ndrydhës të vullnetit të përgjithshëm nga vullnetet e tyre tekanjoze dhe individuale. Oligarkët janë tragjedia e demos-it dhe demokracisë.
Oligarkët e Shqipërisë tërë kohën përpiqen që, përmes intrigave që ia bëjnë njëri-tjetrit, herë të dobësojnë pozitën e njërit e herë ta forcojnë pozitën e tjetrit, me qëllim që dobitë dhe përfitimet të jenë sa më të favorshme për njëri-tjetrin. Oligarkët e Maqedonisë e mbajnë peng fatin dhe mirëqenien e demos-it ose të masës politike, të cilën dikur kjo masë ua kishte besuar katër liderëve kryesorë, dy shqiptarë e dy maqedonas. Mosgatishmëria dhe vullneti politik për të krijuar ambiente të sigurt dhe të barabartë për zgjedhjet e ardhshme është shembulli më i mirë i prirjes së këtyre politikanëve për oligarki. Për dallim nga demos-i i etnisë maqedonase, demos-i shqiptar përjeton një shtypje të dyfishtë, si nga oligarkët shqiptarë, ashtu edhe nga oligarkët politikë maqedonas. Në Kosovë, oligarkët, ashtu sikur gjetiu në Ballkan, e kanë futur shtetin në një gjendje post-republikane, që në mënyrë të heshtur dhe me “legjitimitet” demokratik po e zhbëjnë republikën akoma të paformuar mirë. Mosgatishmëria dhe vullneti politik për ta zhvendosur votimin e “Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, përmes një referendumi nga populli, është treguesi më i mirë për apetitet oligarkike të Qeverisë në Kosovë. Gjëja që i bashkon të gjithë oligarkët është që Res-publica-n (çështjet publike) t’i shohin si Res-privata (çështje private). Oligarkët e kanë privatizuar dhe uzurpuar publiken, duke e burgosur vullnetin demokratik të demosi-t ose të popullit.
Mjerimi më i madh i tërë kësaj drame tragjik-komedie është indiferenca e bashkësisë ndërkombëtare ndaj oligarkëve dhe amnistimi i tyre. Zotësia e bashkësisë ndërkombëtare për të menaxhuar kriza dhe jo për të zgjidhur kriza, i bën oligarkët më imunë dhe më të fuqishëm, kurse në anën tjetër demos-it nuk i lë rrugë tjetër pos që ta shpjerë drejt anarkisë dhe kaosit kreativ. Përpjekjet e paprovuara për universalizim të koncepteve dhe të etikës politike e shembin dhe minojnë idenë e Evropës për krijimin e shoqërive të lira, ku prona publike është preokupim i secilit.
Oligarkët janë ngufatësh dhe verbues, njëjtë siç është edhe gazi lotsjellës i shpërthyer në Parlamentin e Kosovës. Tymi në Parlamentin e Kosovës duhet të lexohet edhe si denoncim i oligarkëve të Ballkanit, shpërfytyruesëve të vullneteve popullore dhe zhvatësve të hapësirës publike. Tymi i Parlamentit është protestë dhe ftesë për çlirim nga oligarkët e Ballkanit për ta shmangur tymnajën e luftës së popujve në Ballkan. (Editoriali i Revistës SHENJA)