Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet” do të shpërndajë mbi 5000 pako me produkte ushqimore në Maqedoni.
Rreth 100 familje nga Komuna e Studeniçanit me standard të ulët jetësor kanë pranuar sot pako me produkte ushqimore nga OKH “Merhamet”. Ky aktivitet, është në vazhdën e karvanit që filloi të shtunën ne Kumanovë, vazhdoi të dielën nëpër fshatrat e komunës së Likovës, ndërsa sot ndaloi në Studeniçan. Nga organizata “Merhamet”, premtojnë që ky aktivitet do të arrijë edhe në Strugë.
“Organizata Humanitare ‘Merhamet’ me karvanin që filloi nga Kumanova, dje vazhduam në komunën e Likovës, sot jemi në komunën e Studeniçanit. Me 100 pako jemi këtu prezent sot, i kemi dorëzuar. Këtu do t’i përfshijmë të gjitha fshatrat në komunën e Studeniçanit. Kjo do të vazhdojë edhe në vazhdim. Nesër do të jemi në pjesën e Karadakut dhe pastaj do të vazhdojmë në qytetet tjera. Do të mundohemi të arrijmë deri në Strugë”, tha Muhadin Limani nga organizata “Merhamet”.
Në komunën e Studeniçanit, organizata “Merhamet” ka bashkëpunuar me organizatën “Aksi” në përpilimin e listave të familjeve në nevojë, si dhe në shpërndarjen e pakove me produkte ushqimore. Nga “Aksi” thonë se janë munduar të përfshijnë familje nga të gjitha fshatrat që gravitojnë në Komunën e Studeniçanit.
“Sa i përket këtij aktiviteti, jemi organizuar ne si shoqata AKSI bashkë me shoqatën Merhamet, diku janë 100 pako të parapara për familjet skamnore të cilat kanë nevojë për këto pako. Shpresojmë që këtë Ramazan të kenë edhe ata diçka për të shtruar në sofrën e iftarit”, tha Ejup Rahmani nga organizata “Aksi”.
Ky aksion përkrahet nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, Fondacioni Humanitar IHH nga Turqia dhe organizata ndërkombëtare VEFA nga Gjermania. /SHENJA/