Hamdi Nuhiju
Dhomë e errët. Është shumë ftohtë! Dritat janë fikur, ndërsa në heshtje dëgjohen vetëm pikat e shiut që bien mbi divan nga çatia e çarë. Asnjë thirrje në telefon, asnjë zë për t`u zgjuar. Të rrahurat e zemrës ma lëvizin trupin sikur bashkëfshatarët që bartin kufomën e një personi të thjeshtë.
Pasqyrë e çarë, ma paraqet fytyrën në refleksionin e pamjes së jashtme. Errët! Nuk duket asgjë. Nuk po dëgjoj asgjë. Përveç valles së zorrëve që presin 48 orë ushqimin e tyre të preferuar. Vetëtimë! Dëgjohet një kërcitje dhe shkëlqim drite. Shiu nuk ndalet. Duket sikur dikush me grusht po hedh shi mbi çatitë e shtëpive. Tërhiqem nga mendimi! Zemra filloi të qetësohet, sytë të lodhen, u futa në botën e tretë të nëndijes.
Fillova të qaj! Shoh njerëz me rroba të bardha që me shpejtësi po ikin në drejtimin e panjohur. Duken të shqetësuar për fatin e tyre. Shkelin mbi trupat e foshnjave, pa vetëdije dhe të trishtuar vazhdojnë të ecin me tempo të shpejtuar.
Derisa unë vazhdoj të qaj, një fëmijë bërtet : Nënë, mos më le, kam frikë! Dy të moshuar me ngjyrë të kuqe, ngjyrosin rrudhat njëri-tjetrit. Duken sikur në betejën me dema!
Jastëku më është bërë qull. Përpëlitjet e mia të kësaj nate të gjatë nuk po i duket fundi. Jam futur në agoninë e vdekjes. Skenë e botës së varrit! Shpirti duke u ndarë nga trupi.
Erdhi dita. Përsëri jam vet, përballë pasojave të një nate të lemeritshme. Pasqyra ende është e çarë, çatia më rrjedh ujë, ndërsa në telefon nuk është lajmëruar askush.