OJQ-të: Stop etiketimeve të “Stop Operacioni Soros”
21 organizata joqeveritare kundërshtuan sulmet dhe akuzat nga iniciativa “Stop Operacioni Soros” për gjoja financim të veprime të paligjshme të “Fondacionit Shoqëri e Hapur” e Xhorxh Sorosit. Këto organizata shprehën shqetësimin nga sulmet e vazhdueshme të pushtetit nëpërmjet siç thonë, iniciativës Stop Operacioni Soros ku u nxorën dokumente dhe të dhëna për veprime të ndryshme të këtyre 21 organizatave që bashkëpunojnë me Fondacionin Shoqëri e Hapur të Sorosit. Filip Stojanovski nga organizata “Metamorfozis” kërcënoi me padi për shpifje në qoftë se në afat prej 7 ditësh, drejtuesit e iniciaitvës “Stop Operacionit Soros” nuk dalin të kërkojnë falje publike.
“Ne organizata joqeveritare që jemi cak i sulmeve të orkestruara të pushtetit të deritanishëm dhe personat e saj të dëgjueshëm, kërkojmë falje publike dhe tërheqje të të gjitha gënjeshtrave dhe shpifjeve për punën tonë që i publikoi iniciativa ‘Stop operacioni Soros’. Në të kundërtën, do të jemi të detyruar që drejtësinë ta kërkojmë në gjykatë me padi për shpifje dhe fyerje”, ka thënë Filip Stojanovski, Metamorfozis .
Stojanovski dhe përfaqësuesit e organizatave të tjera e quajtën këtë si sulm jo vetëm ndaj Xhorxh Sorosit dhe Fondacionit të tij, por si sulm ndaj shoqërisë së hapur dhe zërit të pavarur dhe të panënshtruar të sektorit civil.
“Ngelet të vërtetohet se kush ka për qëllim që nëpërmjet të dhënave gjysmake dhe të marra në mënyrë të paligjshme të organizojë hajke kundër organizatave civile progresive, në mënyrë që ta diskreditojë punën e organizatave të pavarura me të cilat fondacioni jonë por edhe shumë të tjera kanë bashkëpunim shumë të mirë. Kërkojmë nga Cvetin Çilimanov, Nikolla Sërbov dhe Nenad Mirçevski që të kërkojnë falje dhe ti demantojnë gjoja provat dhe gjetje që i kanë”, deklaroi Sllavica Inxhevska, Fondacioni Shoqëri e Hapur.
Kohë më parë iniciativa “SOS” publikoi një sërë dokumentesh që thoshte se janë dëshmi për financim të paligjshëm të këtyre organizatave nga ana e Fondacionit “Shoqëri e Hapur”. Nismëtarët e kësaj iniciative pohonin se ka pasur edhe keqpërdorime nga ana e Agjencisë Amerikane për Zhvillim USAID, e cila sipas tyre, ka financuar projekte të ndryshme të sektorit civil me qëllim të partizimit të tyre, me qëllim të udhëheqjes së fushatës së zezë dhe organizimin e protestave të dhunshme për të rrëzuar pushtetin si dhe për ta hapur kufirin për refugjatët.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/