Në raportin e Misionit Monitorues Reaktiv (RMM) të UNESCO-s, i cili ishte në Ohër marsin e kaluar, shkruhet se derisa misioni po i afrohej Ohrit, ka vërejtur një tjetër kantier ndërtimi në kodrën e pyllëzuar të Goricës. Bëhet fjalë për ndërtimin e një hoteli tjetër në një zonë që dikur ka qenë e pyllëzuar, por në të cilën janë ndërtuar në mënyrë progresive objektet turistike. Qendra e Trashëgimisë Botërore nuk ishte njoftuar për ndërtimin e këtij kompleksi të ri përpara se të merrej vendimi për ndërtimin e tij, siç kërkohet nga paragrafi 172 i udhëzimeve operative. Ekspertët theksojnë se pas miratimit të Planit për menaxhimin e trashëgimisë botërore natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit, aktivitetet ndërtimore në Ohër vazhdojnë, madje me më shumë energji, edhe në zonat ku nuk u lejua të vazhdojë urbanizimi, siç është kodra e Goricës, thuhet në reagimin e sotëm të organizatës civile Ohër SOS, transmeton Portalb.mk.
Misioni kërkoi informacion dhe kërkoi që dokumentacioni ekzistues i projektit, përfshirë vlerësimin e ndikimit të kryer, të dorëzohej në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për t’u analizuar nga organet këshillimore.
Në prill të vitit 2024, në raportin drejtuar Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe organeve këshillimore, Ohër SOS dorëzoi informacion më të detajuar për kompleksin hotelierik.
“Pas RMM-së, në korrik 2024 pasoi seanca vjetore e Komitetit të Trashëgimisë Botërore, nga e cila rezultoi vendimi 46 COM 7B.44. Ata që u ulën në kolltuqet e shtetit dhe komunës nuk i informuan qytetarët se në pikën 10 Komiteti i bën thirrje shtetit anëtar Maqedonisë të ndalojë ndërtimin në afërsi të Studençishko Blatos, kompleksit Gorica Veri dhe Gorica 3 derisa të kryhet një vlerësim strategjik i ndikimit mjedisor dhe një vlerësim i ndikimit të trashëgimisë për secilin nga projektet. As UNESCO-n nuk e kanë njoftuar kur në Raportin e Progresit, kushtimisht nga 31 janari 2025, nuk kanë shkruar asnjë fjalë për ndonjë veprim në lidhje me Goricën”, thotë Ohri SOS.
Sipas tyre, shteti po vepron në kundërshtim me Konventën e pranuar dhe ligjërisht të detyrueshme për trashëgiminë botërore.
Në nëntor 2024, Qendra e Trashëgimisë Botërore e publikoi Raportin e misionit të UNESCO-s nga viti 2024, në të cilin për të tretën herë ekspertët konkludojnë se Rajoni i Ohrit i përmbush kriteret për Trashëgimi Botërore në Rrezik. Ndërhyrjet joadekuate, urbanizimi, planifikimi joadekuat hapësinor, projektet infrastrukturore shkaktojnë dëme ireverzibile për shkak të të cilave Rajoni i Ohrit mund ta humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale në një periudhë afatshkurtër edhe afatmesme.
Ohri, një simbol i historisë së pasur dhe bukurisë natyrore, përballet me një sfidë që kërkon forca të bashkuara nga vendi ynë dhe Shqipëria dhe vendosmëri për të ruajtur trashëgiminë e tij për gjeneratat e ardhshme.
Zbatimi i rekomandimeve për kërcënimet ndaj Liqenit të Ohrit dhe Parkut Kombëtar të Galiçicës po shqyrtohet edhe nga Komiteti i Konventës së Bernës.