Alsat 2019-06-10T19:19:45+02:00
Grushte dhe shqelma në seancën e Këshillit të Komunës së Ohrit. Këshilltari i Lëvizjes Besa, Xhemal Mena akuzon se në mes të seancë është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij nga BDI-ja. Mena menjëherë e ka lajmëruar incidentin në polici, e ndihmë ka kërkuar në repartin kirurgjik të Spitalit të Ohrit. Autoritet shëndetësore thanë për Alsat se ai është pranuar me lëndime trupore, pas çka i është ofruar edhe ndihmë mjekësore, ndërsa është dërguar që të paraqitet edhe në repartin nervor të këtij spitali. Deri te rrahja ka ardhur për shkak të rishikimit të buxhetit.
Incidenti ka ndodhur para syve të të gjithë kolegëve këshilltarë, administratës komunale dhe kryetarit të qytetit Konstantin Gjeorgjievski. Burime për Alsat-in shprehen se incidentit i ka paraprirë një zënkë verbale. Mena shprehet se në të ardhmen këshilltarët duhet doemos të jenë të mbrojtur fizikisht. Ai shprehet se do të parashtrojë kallëzim penal kundër kolegut të tij këshilltar. Heshtje në Komunën e Ohrit lidhur me këtë ngjarje. Kryetari i Qytetit nuk iu përgjigj telefonatave, ndërsa kryetarja e Këshillit na tha se nuk është në Ohër, përmes telefonit e kërkuam edhe këshilltarin e BDI-së, Useini, por edhe ai nuk iu përgjigj telefonatave. Nga Lëvizja Besa e dënuan ashpër sulmin ndaj këshilltarit të tyre, i cili ka luftuar dhe ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Ohrit.
Rasti për të cilin bëhet fjalë është lajmëruar në polici dhe të gjitha ambasadat e huaja do të jenë të informuara. Presim që kjo të marrë epilogun e mirëfilltë. Gjithashtu, Lëvizja Besa u bën thirrje të gjitha organeve kompetente që të dënojnë seriozisht sulmin ndaj funksionarit partiak dhe përfaqësues të qytetarëve të Ohrit”-thonë nga Lëvizja Besa.
Nga SPB Ohër vetëm e konfirmuan incidentin. Në kumtesën e shkurtër shprehen se rreth orës 14, në SPB Ohër, Xh.M. ka lajmëruar përmes telefonit se në hapësirat e Komunës së Ohrit, ka qenë i sulmuar fizikisht nga N.U., dhe se kanë ndërmarrë masa për zbardhjen e këtij rasti.
Miki Trajkovski
Loading…



