31 July 2018 / 16:00
Aktivistët e Ekologjisë sot para komunës së Ohrit kërkuan që të ndërpritet urbanizimi masiv i bregut të Ohrit dhe Strugës. Me protestë një orësh dhe me mesazhe “Urbanizim pa kanalizim”, “Betoni, vdekje për turizmin”, “Vdekje hotelit, liri liqenit”, është kërkuar nga autoritetet lokale dhe qendrore urgjentisht të zbatojnë rekomandimin e UNESKO-s për moratorium ndërtimi buzë liqenit.
“Për momentin po ndodh katastrofa në bregun e Ohrit dhe askush nuk reagon. Në anën e Strugës po ndodh një katastrofë e vërtetë, duke vendosur tampon dhe duke u shkatërruar pjesët e ujit dhe kallamit, me pretekstin e kryetarit Merko se këtë po e bën për shkak të ambientit. Këtej po përgatiten blloqe të mëdha urbane që kalojnë fshehtë, pa i vërejtur akush”, u shpreh Trajçe Taleski, “Ohrid SOS”.
“Moratorium nuk do të thotë se duhet të ndërpritet planifikimi, por moratorium që është në përputhje me kërkesat e UNESKO-s”, tha Mirosllav Kotevski, shoqata “Star Lagadin”.
Organizatat Joqeveritare paralajmëruan se nëpër Ohër ndërtohen 300 banesa të reja dhe se qyteti tashmë nuk i ngjan vendit që është nën mbrojtjen e Organizatës Botërore.
“Po deformohet qyteti, po shkatërrohet, po mbyllet qarkullimi i ajrit dhe dritës nëpër shtëpitë tona”, deklaroi Belinda Andonovska, qytetare e Ohrit.
Paraprakisht, të hipur në kamionë dhe automobila, qindra aktivistë u nisën nga lagjja Lagadin drejtë komunës së Ohrit. Paralajmërojnë se do të vazhdojnë me protesta derisa të ndikojnë dhe të ndërpritet urbanizimi i përshpejtuar i bregut të liqenit.
Miki Trajkovski