Alsat 2019-06-11T15:27:02+02:00
Në opinion asnjë reagim rreth incidentit të djeshëm në Ohër kur në mes të seancës të Këshillit të komunës, këshilltari nga radhët e BDI-së, Nefi Useini, fizikisht ka sulmuar kolegun e tij nga Lëvizja BESA, Xhemal Mena. Nga policia thonë se pas dokumentimit të plotë të rastit, SPB Ohër kundër Useinit do të ngrit kallëzim përkatës.
Më datën 10.06.2019 XH.M (25), këshilltar në Këshillin e komunës së Ohrit, ka denoncuar se ditën e njëjtë rreth orës 14:00, derisa ka kryer detyrat e punës në komunën e Ohrit, pas paraqitjes së tij nga seanca, fizikisht është sulmuar nga N.U nga Ohri, këshilltar në Këshillin e komunës Ohër – njoftojnë nga SPB Ohër.
Incidenti ka ndodhur para syve të këshilltarëve, para të punësuarve të komunës dhe para kryetarit Konstantin Gjeorgjievski. Pas heshtjes së djeshme, nga komuna me reagim rreth incidentit dolën sot ndërsa reagoi edhe VMRO DPMNE.
Konsiderojmë se sjellja e këtillë është incident i izoluar dhe se nuk do të përsëritet në të ardhmen. U bëjmë thirrje këshilltarëve që të sillen në frymën e demokracisë dhe respektimin e mendimeve të ndryshme – thonë nga Komuna e Ohrit.
Nga spitali i Ohrit për Alsat deklaruan se Xhemal Mena tek ta është pranuar me lëndime fizike. Alsat edhe sot disa herë tentoi të kontaktojë me Nefi Useinin, por i njëjti nuk iu përgjigj thirrjeve. Për disa portale, ai ka përmendur se ka qenë i revoltuar nga sjellja e kolegut të tij nga BESA i cili nuk ka dashur ta mbështes punësimin e 20 personave në ndërmarrjen publike të ndërtimeve në Ohër.
Ky veprim i tij i pakuptimtë, por edhe tradhtia ndaj shqiptarëve në Ohër më ka revoltuar dhe për këtë ndodhi reagimi im lidhur me këtë votë kundër interesave të shqiptarëve në Ohër – tha Nefi Useini- këshilltar i BDI-së.
Për këtë ngjarje reaguan edhe nga Komiteti i Helsinkit.
Kultura politike në Maqedoni është në nivelin shumë të ulët. Mos- ndëshkueshmëria e këtyre veprimeve në esencë është shkaktari kryesor që në Maqedoni ka aq shumë vepra penale nga urrejtja – deklaroi Urania Pirovska- Komiteti i Helsinkit.
Nga Lëvizja BESA njoftuan se për rastin në fjalë do t’i njoftojnë të gjitha ambasadat e huaja ndërsa i sulmuari Mena do të ngrit kallëzim penal ndaj kolegut të tij nga BDI.
Miki Trajkovski
Loading…



