Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEM) i rekomandon Qeverisë t’i përfshijë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në propozim tekstin e ligjit për mbështetje financiare të investimeve, e jo ato të rregullohen me akte nënligjor. Krahas kësaj, rekomandon të zgjerohet lista e sektorëve të cilët kanë potencial të madh për zhvillimin e ekonomisë, të punohet në mënyrë paralele edhe në sjelljen e rregulloreve të nevojshme për zbatim të ligjit, të koordinohen më mirë me organet e tjera kompetente për ndihmën shtetërorë dhe të eliminohet kolizioni potencial me ligjet tjera, të parashihen masa të veçanta për kompanitë që vijnë nga viset rurale, të parashihen mundësi të ndihmës për ekipim, apo trajnim të kuadrove profesionale për implementim të projekteve investuese nga investitorët potencial, të parashihen dispozita për eliminim të faktorit njeri në procedurën e dhënies së ndihmës financiare.
“Këto vërejtje i japim sepse duam të kyçemi në debatin publik për ligjin dhe të nxisim debatin për ligjin që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm. Ne jemi korrektues të politikave ekonomike dhe ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar shtetin në zhvillimin ekonomik dhe rritje”, tha drejtori ekzekutiv i OEVMP Drilon Iseni në konferencën e sotme për shtyp.
OEMVP paraqiti një vlerësim fillestar të tekstit ndërsa rekomandimet e tyre, në konsultim me anëtarësinë do të dërgohen në Qeveri në mënyrë zyrtare dhe do të vendosen në sistemin elektronik për rregullore RVKE (ENER). Sektori për hulumtim dhe zhvillim në OEMVP bëri analizë krahasuese të ligjeve të ngjashme në disa vende të Ballkanit perëndimor dhe Bashkimit Evropian siç janë:
Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Serbia dhe Sllovenia. Në lidhje me propozim ligjin për përkrahje financiare të investimeve, OEMVP sjell këto vlerësime të përgjithshme.
“Propozim teksti i ligjit shpallet me një vonesë të dukshme, për faktin që, Qeveria e RM-së, kishte të definuar shtyllat për përkrahjen e bizneseve, e që përbëjnë bazamentin e ligjit, që nga shtatori i vitit 2017. Gjatë përpilimit të propozim ligjit organet kompetente paraprakisht duhet të kenë parasysh faktin se i njëjti mund të bie ndesh me disa ligje të caktuara. Në bazë të kësaj dinamike, sjellja e ligjit në Kuvend do të shtynte mundësinë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve nga ana e bizneseve që targetohen me shtyllën e tretë, përkatësisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në aspekt juridik rregullimi i përkrahjes shtetërore me akt nënligjor, mund të krijojë pasiguri te bizneset e vogla dhe të mesme për faktin që organet e pushtetit ekzekutiv kanë kompetencë për të sjellë akte të tilla”, theksohet në kumtesën e OEVMP.
Çështje tjetër me rëndësi është edhe mbrojtja e konkurrencës në treg. Me këtë ligj, nuk parashihet ndonjë kompentencë e Komisionit për mbrojtje të konkurrencës. (për dallim nga ligjet tjera që rregullojnë fushën e ndihmës shtetërore në vend). Кy rregullim lë hapësirë për kritika eventuale nga Komisioni evropian për shkak të obligimeve që burojnë nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim në lidhje me ndihmën shtetërore dhe mbrojtjen e konkurrencës. Me këtë ligj nuk janë përfshirë gjithë sektorët e tjerë (pos prodhimit) të cilët kanë impakt të madh në krijimin e PBV në vend, gjë që tregon se ligji në këtë formë vë në mëdyshje ndikimin real në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Edhe pse kjo qeveri ka planifikuar mjete buxhetore në vlerë prej 30 milion eurosh për zhvillim të barabartë rajonal gjë të cilën ОЕMVP e ka përshëndetur, аta vlerësojnë se ky përcaktim duhet të reflektohet edhe në ligjin për Përkrahje financiare të investimeve .
Gjithashtu, OEMVP thekson se me ligjin e ri nuk parashihet mundësi e ndihmës për ekipim, apo trajnim të kuadrove profesionale për implementim të projekteve investuese nga investitorët potencialë.