Bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Suedisë do të përforcohet përmes aktiviteteve të Odës Ekonomike Suedi-Maqedoni e Veriut, e cila do të jetë urë dinamike që lidh kompanitë, institucionet dhe idetë nga të dy vendet, u theksua sot në inaugurimin zyrtar të odës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme në Shkup. Promovimi në vend vjen pas hapjes zyrtare të kësaj ode në tetor në Stokholm.
Marija Nikollovska, kryetare e Odës paralajmëroi se aktivitete kyçe të odës do të jenë mbështetja e kompanive, lehtësimi i bashkëpunimit të bizneseve, organizimi i forumeve dhe ngjarjeve dhe promovim i praktikave inovative ekologjike të biznesit.
“Pas hapjes së suksesshme zyrtare në tetor të këtij viti në Stokholm, sot ne vazhdojmë misionin tonë në vend me të njëjtin entuziazëm dhe të njëjtin përkushtim për të ndërtuar një partneritet afatgjatë dhe kuptimplotë midis dy vendeve. Oda u themelua me një qëllim të qartë – të promovojë shkëmbimin, investimet, sipërmarrjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve midis Suedisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe të mbështesë interesat e biznesit të anëtarëve tanë”, tha Nikollovska.
Ajo ju bëri thirrje kompanive të Maqedonisë së Veriut ta hulumtojnë tregun suedez për vendosje të partneriteve të reja, ndërsa kompanitë suedeze ta njohin potencialin e shtetit tonë.
Siç bëri të ditur drejtori ekzekutiv i odës, Samuil Naumovski Vikius, anëtare të odës janë kompani nga të dyja shtetet nga sektorë të ndryshëm.
“Qëllimi është të ofrojmë sa më shumë njohuri, ekspertizë dhe lidhje së bashku. Jemi të hapur për anëtarësim nga sa më shumë kompani të jetë e mundur”, tha Naumovski Vikius, duke njoftuar se vitin e ardhshëm do të organizojnë një Forum Investimesh në vend, në bashkëpunim me përfaqësues të qeverisë, një shfaqje turistike në rrugë për Maqedoninë e Veriut, një Forum Biznesi Suedi-Maqedoni e Veriut…
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Dimitrovski theksoi vendosmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh dhe për të forcuar lidhjet ekonomike me Suedinë. Ai theksoi se oda do të shërbejë si urë lidhëse për kompanitë dhe për të inkurajuar investime të reja dhe partneritete tregtare.
“Do t’i ndihmojë bizneset tona të hulumtojnë tregun suedez, të përfitojnë nga standardet e tij të larta dhe të lidhen me një nga ekonomitë më inovative evropiane. Gjithashtu, do t’u hapë dyert kompanive suedeze drejt potencialit, mundësive dhe talenteve që ofron Maqedonia”, tha Dimitrovski.
Ola Sultrom, ambasadore e Suedisë në shtet, porositi se fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik do të jetë hapi kyç në vitin 2026 për përmirësim të mëtutjeshëm të partneritetit të shkëlqyer ndërmjet dy shteteve.
“Ne jemi ndër mbështetësit më të fortë të rrugës suaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shpresojmë për përparim në vitin 2026. Ne jemi partnerë në NATO, në ekonomi kemi bashkëpunim midis kompanive, investime, shkëmbim dhe do të doja që lista e kompanive që janë këtu të rritet”, theksoi ambasadorja.
Theksoi gjithashtu se forcimi i lidhjeve ekonomike është një përpjekje ekipore, në të cilën biznesmenët luajnë rolin kryesor, dhe se është i bindur se vitin e ardhshëm do të ketë arritje të reja në bashkëpunimin ekonomik.


