Gjithsej 44 kompani të Maqedonisë kanë lidhur marrëveshje afariste me partnerët e huaj në periudhën 2015-2016 përmes Rrjetit evropian për mundësi biznesi (EEN), ndërsa 182 firma nga vendet e huaja kanë kërkuar bashkëpunim me kompani tona.
Kjo është vetëm një pjesë e bilancit të EEN, e cila përveç internacionalizimit, ofron edhe transfer të teknologjive dhe risi. Periudha e viteve 2015-2016 është e rrumbullakosur dhe tashmë ka filluar periudha e ardhshme, për vitet 2017-2018.
Siç është theksuar sot në konferencën për shtyp në Odën ekonomike, shërbimet e EEN-së janë falas. Më së tepërmi, pothuajse 94 për qind, i shfrytëzojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), kryesisht nga sektori IT dhe tregtia.
“Informacionet për Rrjetin kanë prekur deri në 9.605 kompani në Maqedoni, janë organizuara 19 ngjarje rajonale dhe lokale, në të cilat kanë marr pjesë 483 kompani, ndërsa 139 kanë marrë këshilla për internacionalizim të bizneseve. janë mbajtur edhe 32 takime B2B, në të cilat kanë marrë pjesë 143 kompani nga Maqedonia, ndërsa 88 kanë kërkuar informacione për tregjet e huaja ose partnerë potencialë afaristë”, theksoi Sofçe Jovanovksa nga Oda.
Lidhur me risinë, për vitet 2015-2016, janë lidhur 22 marrëveshje teknologjike për partneritet, janë prodhuar 30 profile teknologjike dhe janë realizuar mbi 113 shkëmbime të informacioneve.
Rrjeti evropian për mundësi biznesi funksionon nga viti 2008. Sot numëron 600 organizata nga Evropa, por edhe nga SHBA-ja, Rusia, Kina, Japonia, Kili, Argjentina… Bashkon mbi 3.000 profesionistë në 60 vende, të cilët në çdo kohë, 24 orë janë në dispozicion për sigurimin e të dhënave të sakta, precize. Si të gjendet tregje të reja, partnerë të rinj afarist, teknologji të reja dhe inovacione, si të aplikohet për fondet evropiane, … janë pyetjet më të zakonshme që i parashtrojnë afaristët – shfrytëzues të EEN.
Në Maqedoni EEN punon si konsorcium nacional në kuadër të Rrjetit evropian të sipërmarrësve. Lider projektues është Rektorati i Universitetit “Shën Cirili e Metodi”, ndërsa partnerë janë Oda ekonomike dhe Fondacioni MIR.