Tuberkulozi mbetet shkaku kryesor i vdekjes nga sëmundjet infektive në botë, duke marrë jetën e rreth 1,23 milion njerëz vetëm vitin e kaluar, kumtoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke potencuar brishtësinë e progresit në luftën kundër sëmundjes.
Numri i rasteve të vdekjeve nga tuberkulozi u ul me tre për qind në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, ndërsa numri i rasteve të sëmundjes u ul me pothuajse dy për qind, theksohet në raportin vjetor të OBSH-së.
Është vlerësuar se në vitin 2024, 10,7 milionë njerëz në mbarë botën u sëmurën me tuberkulozë: 5,8 milionë burra, 3,7 milionë gra dhe 1,2 milionë fëmijë.
Tuberkulozi është sëmundje që mund të parandalohet dhe të shërohet, ndërsa është shkaktuar nga bakterjet që më së shpeshti prekin mushkëritë. Transmetohet nëpërmjet ajrit kur personat e infektuar kolliten, teshtijnë ose pështyjnë.
“Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, e cila shkatërroi sigurimin shëndetësorë, ulen dhe rastet e tuberkulozës edhe numri i vdekjeve prej saj”, deklaroi Tereza Kasajeva, udhëheqëse e Departamentit të HIV-it, tuberkulozi, hepatiti dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme në OBSH, në Gjenevë.
“Shkurtimi i buxhetit dhe faktorët e vazhdueshëm nxitës të epidemive kërcënojnë të shkatërrojnë progresin e arritur me mund, por me angazhim politik, investime të qëndrueshme dhe solidaritet ndërkombëtar, mund ta ndërrojmë trendin dhe ta zhdukim këtë plagë të lashtë njëherë e përgjithmonë”, shtoi ajo.
Financimi për tuberkulozën ka ngecur që nga viti 2020. Vitin e kaluar, 5,9 miliardë dollarë ishin në dispozicion për parandalim, diagnostikim dhe mjekimin. Kjo shumë është shumë më poshtë nevojës së vlerësuar prej 22 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2027.
Në vitin 2024, tetë vende përbënin dy të tretat e të gjitha rasteve në mbarë botën: India (25 për qind), Indonezia (10 për qind), Filipinet (6,8 për qind), Kina (6,5 për qind), Pakistani (6,3 për qind), Nigeria (4,8 për qind), Republika Demokratike e Kongos (3,9 për qind) dhe Bangladeshi (3,6 për qind).
Pesë faktorët kryesorë të rrezikut që udhëheqin epideminë janë kequshqyerja, infeksioni HIV, diabeti, pirja e duhanit dhe alkoolizmi.
Tuberkulozi është shkaku kryesor i vdekjes tek njerëzit që jetojnë me HIV, me 150.000 raste të vdekjeve vitin e kaluar.
Në vitin 2024, 8.3 milionë njerëz u diagnostikuan me tuberkulozë dhe morën mjekim. Shkalla e suksesit të trajtimit u rrit nga 68 në 71 për qind vitin e kaluar.
OBSH-ja vlerëson se trajtimi i hershëm i tuberkulozës nga viti 2000 deri më tani kanë shpëtuar gjithsej 83 milionë jetë.


