Tabela në dy gjuhë është bërë gati për tu vendosur në hyrje të shkollës fillore të muzikës Pançe Peshev në Kumanovë. Por, drejtoresha Svetllana Trajkovska, thotë se përveç një gozhde që i duhet për të vënë këtë tabelë, duhet të arrij edhe vendimi zyrtar nga Ministria e arsimit që në këtë shkollë të mësohet edhe në gjuhën shqipe. Këtyre rrethanave po ia shohin sherrin edhe 35 nxënësit shqiptar, të cilët do të duhej të fillonin mësimet në gjuhën shqipe. Disa prej tyre thonë se nuk kuptojnë asgjë maqedonisht.
“A po e kupton arsimtaren se çka po të flet? Jo edhe aq shumë! Kur jam regjistruar kam dashur të mësoj në gjuhën shqipe, por kjo mësuesja po flet në maqedonisht”, tha Lina Xhemaili, nxënëse.
“Jo shumë nuk e kuptoj se nuk kam qenë në çerdhe, andaj nuk e kuptoj. Maqedonisht nuk kamë mësuar dhe nuk e kuptoj aq mirë mësuesen”, u shpreh Mjellma Shabani, nxënëse.
Prindërit shprehen të shqetësuar për vonesën administrative, e cila po mban peng mësimin në gjuhën shqipe, ndonëse numri i nxënësve shqiptar ka mbushur paralelen në afatin e paraparë të regjistrimit.
“Me 13 shtatorë i kemi regjistruar nipin dhe mbesën për në klasën e parë, që thanë se ka filluar të mësojnë në paralelen e gjuhës shqipe. Momentalisht mësuesen e kanë maqedonase, e mandej iu kanë thënë se deri sa të pranojnë paralelen do të fillojnë të mësojnë në gjuhën shqipe”, tha Emine Qahili, Familjare.
Nga sektori për arsim në Komunën e Kumanovës, thonë se në periudhën parazgjedhore sipas ligjit nuk do të mund të bëjnë punësime të reja. Udhëheqësi i këtij sektori, Zhika Krstevski thotë se do të hapin kuadër të ri që fëmijët mos të humbasin me mësim, kurse punësimi i profesorit do të formalizohet pas zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, për të mos hapur telashe me Agjencinë kundër korrupsionit.
“Kështu që konfirmimin me fjalë e kemi, por është pritur më shumë se sa duhej nga Ministria e financave. Kemi informacion se deri në fund të kësaj jave do të arrij vendim me shkrim, andaj që nga e hëna do ta kemi pëlqimin formal që të filloj zyrtarisht të funksionoj kjo paralele”, tha Zhika Krstevski, Udhëheqës i sektorit të arsimit.
Problem për nxënësit shqiptar po paraqesin edhe tekstet shkollore të cilat janë në gjuhën maqedonase. Nga drejtoria e shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” thonë se nuk do të ketë libra në gjuhën shqipe, pasi që notat muzikore kuptohen në të gjitha gjuhët, por ia lënë barrë profesorit të ardhshëm i cili do të zgjedhet për këtë paralele, që të zhvilloj mësimin me skripte të printuara.

