Fatmirësisht, të premten orën e parë, nxënësit shqiptar të gjimnazit “Koço Racin” kanë orë të gjuhës shqipe, ku e kanë profesoreshën Lindita.
Ajo po e shënon orën, por pjesa tjetër në ditar do të mbetet e zbrazur. Edhe pse udhëtojnë 45 kilometra dhe zgjohen në 6 të mëngjesit, nxënësit e kësaj shkolle vijnë, mbajnë 1 ose eventualisht 2 orë dhe kthehen.
“Jabollçishti është larg prej Velesit 45 kilometra…
Edhe përsëri, vjen këtu e nuk e ke profesorin, nuk të jep vullnet që të mësosh më shumë radhën tjetër”, tha Sedat Murtezani, nxënës.
“Nëse ka ndonjë profesor të lirë ne e mbajmë orën, nëse jo, presim deri sa të vijë ora tjetër për të mbajtur me atë profesor”, u shpreh Hirmete Amzai, nxënëse.
Problemi me mungesën e profesorëve është shfaqur vitin e kaluar. Burak Jakupi e ka mbaruar shkollën e mesme vitin e kaluar, e sivjet në vend se të jetë në bankat e fakultetit, po pret vizën para Ambasadës së Gjermanisë. Një ndër arsyet se përse ka vendosur mos të vazhdojë shkollimin, është se nuk ndjehet i përgatitur.
“Më herët ka pasur më shumë profesor, por vitin e kaluar, në vitin e katërt ka pasur vetëm një profesor shqiptar, edhe ai ka qenë kujdestar, vetëm një orë kemi mbajtur me të, orët të gjithë në maqedonisht”, tha Burak Jakupi, ish nxënës i “KOÇO RACIN”.
Me ligjin aktual, profesorët nuk mund të mbajnë më shumë se 5 orë shtesë, nëse kanë orarin e plotësuar në shkollën amë, e drejtoresha e shkollës, Ljubica Temellkovska, thotë se nuk ka profesor adekuat për lëndët përkatëse.
“Si ushtruese e detyrës drejtoreshë, zyrtarisht e kisha patjetër që të drejtohem në entin për punësim këtu në Veles, nga ku kërkova 4 mësimdhënës që do të japin mësim në paralelet shqiptare, por në nivel komunal ne nuk kemi profesorë adekuat të cilët i kanë kryer lëndët adekuate që të japin mësim në shqip.
Kur jemi ndërrimi i mëngjesit, mësimi fillon në orën 07:30, deri në 13:20 që do të thotë se ata fëmijë udhëtojnë. Këto fëmijë udhëtojnë nga vendbanimet e rrethinës së Velesit. Kemi fëmijë nga Buzallakova, Jabollçishta, që do të thotë se ata fëmijë udhëtojnë me autobus… Zgjohen në 6 të mëngjesit që të vijnë në shkollë, dhe kur të vijnë këtu ata janë në pritje se a do të kenë mësim apo jo”, tha Ljubica Temellkovska, Drejtoreshë e shkollës së mesme “KOÇO RACIN”.
Edhe pse iu është drejtuar Entit për punësim, deri më tani përgjigje nuk ka, e shtatori është nga fundi. Profesoresha, Lindita, shkollën e mesme e kreu në po të njëjtën shkollë, dhe u kthye për të ndihmuar. U bën apel kolegëve që kanë mundësi, të vijnë që mos t’i lënë nxënësit duke pritur.
“Sivjet na doli një problem që nuk mund të gjejmë profesor shqiptar, që do t’i japin lëndët e përshtatshme. Apeloj tek të gjithë profesorët që nuk kanë orar të plotë në qoftë se kanë dëshirë të vijnë këtu dhe t’i mbajnë orët për lëndën adekuate”, u shpreh Lindita , Profesoreshë.
Aktualisht, më shumë se 100 nxënës shqiptarë mësojnë në Gjimnazin “Koço Racin”, kurse në gjuhë shqipe ligjërojnë vetëm dy profesorë.