Pas shtatë javësh, sërish dëgjohet zilja e mësimit në Shkollën Fillore “Kemal Ataturk” të fshatit Vërtekicë të Studeniçanit.
Pas bojkotit nxënësit janë kthyer në bankat shkollore.
Inspektorati i arsimit vendosi që të rikthejë paralelen e pezulluar, duke hedhur poshtë vendimin e Komunës së Studeniçanit që nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën, të mësojnë në një klasë të përbashkët.
“Mësimi po zhvillohet normalisht, nxënësit kanë filluar të vijnë dhe të vijojnë mësimin. Nxënësit e klasave të larta kanë filluar para tri javësh, kurse klasat e ulëta nga dita e hënë vijnë me rregull”, tha Gjylser Aliu, arsimtar.
“Jemi kthyer në shkollë, jemi të kënaqur. Kur isha në shtëpi kamë mësuar dhe kam lexuar më mungonte shkolla”
“Kemi bërë bojkot ne me vendimin e bashkëfshatareve, sepse donin ti bashkonin paralelet nga klasa e parë deri të pestën”, thanë disa nxënës.
Banorët gjithashtu kërkojnë që të rikthehet në punë arsimtari i larguar.
“Kërkesa jonë e dytë nuk u realizua, shpresojmë nga se është kërkesë e gjithë prindërve dhe banorëve dhe fëmijëve tanë, të kthehet edhe arsimtari. Ne jemi të kënaqur nga ministria e arsimit, që hodhi poshtë vendimin e kryetarit të komunës”, tha Rasim Ademi, Këshilli i prindërve.
Por komuna tashmë me anë të një konkursi ka punësuar arsimtare tjetër. Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, tha se arsimtari që ka punuar më herët nuk ka pasur përgatitje adekuate.
“Kemi sjellë vendim që përsëri të funksionon cikli ulët me dy paralele, kemi angazhuar mësuese që është adekuate. Mësuesi më herët ka qenë me kontratë në vepër dhe ai nuk është adekuat, ai ka përgatitje shkollore për parashkollor”, u shpreh Azem Sadiku, kryetar i Studeniçanit.
Ndryshe, nxënësit e Shkollës Fillore “Kemal Ataturk”, në fshatin Vërtekicë, për shtatë javë me radhë bojkotuan mësimin për shkak se nuk donin që të pezullohet njëra nga dy paralelet ekzistuese, pas çka nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën do të duhej të ndjekin mësimin në një klasë të vetme. Në fshatin Vërtekicë në klasë të parë janë dy nxënës, në klasë të dytë një nxënës, në klasë të tretë nuk është asnjë nxënës, ndërkaq në klasën e katërt janë katër nxënës.