Nxënësit e shkollave të mesme në Tetovë bojkotojnë mësimin për shkak të ndryshimit të orarit, ata kërkojnë që të kenë orar të shkurtuar ashtu siç kanë pasur për dy javë, në mënyrë që ndërrimi i pasdites të arrijë iftarin në shtëpi. Por, nga Komuna e Tetovës thonë se nuk mund të ketë ndërprerje të mësimit, ndërsa shkollat duhet të përshtatin pushimin e gjatë në kohën e iftarit, shkruan Portalb.mk.
Nxënësi Artan Ejupi thotë se kërkojnë që orari të vazhdojë ashtu siç ka qenë dy javët e para.
“Me orar të rregullt procesi mësimor nuk do të ketë efekt, gjithashtu edhe për ndërrimin pasdite është më e rënduar për shkak se ata i vjen që humbin vaktin e iftarit, duhet të çelin nëpër shkolla, nuk është e hijshme, për shkak se edhe në vitet e tjera ne kemi parasysh se ka qenë orari i shkurtuar dhe nuk ka pasur asnjë problem në procesin mësimor”, tha Ejupi.
Nxënësi Olti Rexhepi theksoi se kanë vendosur të bojkotojnë mësimin dhe kërkojnë mirëkuptim nga institucionet në kërkesat e tyre.
“Ne e kuptojmë se edhe me ligj që orët të shkurtohen, por ne kërkojmë që pjesa e pasdites të arrijnë kohën e iftarit. Po ashtu do cekja edhe problemin e transportit i cili tani është zhvendosur në 07:30, nxënësit dalin më herët se ajo orë dhe presin shumë gjatë. Kërkesa jonë është të kuptohet ky muaj dhe të jetë një orar sa më fleksibilitet dhe i sinkronizuar nëpërmjet neve, që të mund të arrijnë te vakti i iftarit. Po ashtu edhe te pjesa e transportit të jetë sa më fleksibil, nxënësit të mos rijnë rrugëve”, tha Rexhepi.
Një nxënës tjetër tha se bojkotojnë sepse nuk guxohet të ju merret e drejta për iftar.
“Ne nxënësit e gjimnazit por jo vetëm, edhe shumë nxënës tjerë sot bojkotojmë sepse ne jetojmë në shtet demokratik dhe e drejta jonë për të ngrënë iftar nuk merriton të merret. Sistemi i mëparshëm ishte shumë më i mirë, kur dilshim më herët dhe arrinim të hanim iftar dhe nuk humbnim realisht aq shumë orë. Ne besojmë se ky bojkot qëndron”, tha nxënësi.
Nga ana tjetër, Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thotë se assesi nuk guxon të ndërpritet procesi edukativo arsimor, sepse ligji është shumë decid kur procesi arsimor mund të ndërpritet, siç tha ai, në rast të fatkeqësive natyrore, epidemive apo rasteve të jashtëzakonshme.
“Lus nxënësit dhe profesorët të fokusohen në procesin edukativo arsimor, nxënësit të kthehen dhe të vazhdojnë procesin edukativo arsimor, shkollat normalisht kanë bërë inkoprporimin e orarit që pushimi i gjatë të zgjasë në vend të 20 minutave do të zgjasë 25 apo 30 minuta, dhe pas përfundimit të pushimit normalisht që nxënësit duhet të kthehen në procesin edukativo arsimor”, tha Dauti.
Ai theksoi se nëse vazhdohet me bojkot, shkollat do duhet të ndërmarrin masa pedagogjike, ndërsa tha se nuk kanë konstatim nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit që ka shkelje nga ana e shkollave për mosrespektim të orarit mësimor.