Shkruan: Sefer Tahiri
Maqedonia ka hyrë në krizën më të madhe politike pas vitit 2001. Kur mendohej se më në fund partia shqiptare në pushtet (BDI) u esëllua duke mos mbështetur 5 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, pas rikthimit të Kuvendit të vjetër ata e miratuan papritmas një vendim absurd: deputetët e BDI-së, së bashku me ata të VMRO-DPMNE-së, e rikthyen qeverinë e vjetër, duke i larguar nga koalicioni në pushtet dy ministra dhe zëvendësministrat e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë në opozitë, që u bënë pjesë e pushtetit pas publikimit të bombave të opozitës. Qeveria e gjerë kishte për detyrë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
BDI i mbetet besnike VMRO-DPMNE-së!
Kur ish kryeministri Nikolla Gruevski e shpalli 5 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi dështoi 24 prilli si datë, u shpreh se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ia ka dhënë fjalën se partia e tij, BDI, do të marrë pjesë në zgjedhje. Edhe pse maksima “besnik deri në vdekje” ishte premtim i dhënë nga Menduh Thaçi ndaj shefit të mëparshëm të Shërbimit Sekret Maqedonas, Sasho Mijallkov, në fakt edhe BDI-ja në praktikë nuk është larg. Nëse jo në nivelin e besueshmërisë së këtillë, praktikisht dëshmon se me VMRO-DPMNE-në janë në raporte të sinkronizuara.
BDI-ja nuk vendosi për të marrë pjesë në zgjedhje të pjesshme më 5 qershor, pasi LSDM-ja dhe partitë e reja shqiptare kishin bërë të ditur që më parë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, por mori një vendim, i cili nuk është në favor të zgjidhjes së krizës. Ndoshta i papritur si vendim nga aspekti real politik, por nga aspekti pragmatik duket veprim që është në vijë me funksionimin e partisë së Ahmetit brenda qeverisë gjatë gjithë këtyre viteve, që nga viti 2008. Ajo që është për t’u habitur është lehtësia me të cilën rikthimi i qeverisë së vjetër u tentua të proklamohet si sukses nga kjo parti! Nga BDI-ja u komentua si vizionare shtyrja e zgjedhjeve dhe rikthimi i qeverisë së vjetër, që erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ia hapi rrugën konvokimit të Kuvendit në përbërjen aktuale edhe pas shpërbërjes së tij. Madje, nga kjo parti u shprehën se kanë bërë një hap të guximshëm, ndërsa janë habitur se më në fund Gjykata Kushtetuese ka miratuar një vendim pozitiv lidhur me nismën e BDI-së. E vërteta, si duket, është se vendimi i Gjykatës ka qenë i motivuar politikisht, aq më tepër kur dihet edhe për zogjtë e malit se organi më i lartë juridik, që duhet ta mbrojë kushtetutshmërinë e vendit, është gjithmonë në shërbim të VMRO-DPMNE-së dhe, kur e do nevoja, edhe në shërbim të dy partive qeveritare.
Kërcënime propagandistike me alternativa tjera
BDI-ja bëri të ditur nga Reçica e Vogël se “Ahmeti edhe njëherë shpëtoi Maqedoninë”, por gjithmonë duke e maskuar këtë veprim me shtyrjen e zgjedhjeve në një afat që tashmë me kodin zgjedhor nuk është i definuar, siç u definua 24 prilli dhe, më pas, 5 qershori. Natyrisht, sepse BDI-ja tentoi që rikthimin e koalicionit të vjetër ta shesë si veprim në favor të shqiptarëve. Madje, në fjalime, deputetët e BDI-së, duke iu drejtuar deputetëve maqedonas të opozitës, u shprehën se nuk duhet të detyrohen shqiptarët të kërkojnë alternativa tjera, edhe pse kjo parti është e përcaktuar për integrimet euroatlantike. “Shqiptarët në kuptimin e orientimit strategjik nuk kanë alternativë, përveç anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Por, në anën tjetër dua t’ua bëj me dije se në kuptimin politik dhe kombëtar shqiptarët kanë edhe alternativa të tjera. Ju ftoj të mendoni për këto. Mos na detyroni të heqim dorë, mos na detyroni të themi mjaft më!”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.
Por, jo vetëm për opozitën, por edhe vëzhguesit e vëmendshëm politikë, kjo deklaratë më shumë i ngjan një tentimi për ta paraqitur partinë e tij si faktor të rëndësishëm, i cili e stabilizon skenën politike dhe në momente mund të vë në lojë skenarë tjerë. Ngjashëm vepronte edhe ish nënkryetari i BDI-së, sot nënkryetar i Kuvendit, Rafis Haliti, i cili në periudha të caktuara i kërcënohej opinionit publik maqedonas se, nëse nuk integrohet Maqedonia në BE dhe NATO, shqiptarët mund të integrohen vetë në NATO, duke aluduar që mund t’i bashkëngjitet shtetit shqiptar. Deklaratat e këtilla në funksion të marrëdhënieve me publikun ose PR-it politik tashmë janë dekonstruktuar dhe lexohen lehtë dhe qartë nga qytetarët shqiptarë, sepse duke mbetur në nivelin verbal, u pa se bëhen për qëllime të brendshme politike, përkatësisht ishin tendencë për të ndikuar te elektorati shqiptar në Maqedoni. Por, faktet flasin ndryshe. Nën parullën se fituesit e legjitimitetit te shqiptarët dhe maqedonasit duhet ta përbëjnë qeverisjen, partia e Ahmetit vite me radhë, në fakt, vetëm deklarativisht është në vijën integruese, sepse në koalicionin qeveritar është me një parti që praktikisht nuk bën asgjë që të ecet para në rrugën e integrimit euroatlantik. Edhe VMRO-DPMNE-ja e ka gojën plot me integrim, por një pjesë e makinerisë së saj propaganduese mediatike promovon dhe afirmon Rusinë, politikën ruse, Putinin, interesat e horizontales sllave e kështu me radhë. A ka argument më të madh kundër-integrues?
BDI-ja, me veprimin e saj, tentoi ta shpëtojë fytyrën e vet para opinionit të brendshëm shqiptar, sepse nëse lejonte që VMRO-DPMNE-ja të shkojë e vetme në zgjedhje, kjo do të dëshmonte se gjithë këto vite ka qenë në koalicion me një parti që ka mendësi totalitariste. Së fundi, BDI-ja ka njoftuar se nuk mund të pranojë qeveri të re të koalicionit të gjerë nëse nuk caktohet data e re e zgjedhjeve, që do të thotë se kjo parti preferon ta vazhdojë qeverisjen me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit. Sipas shumë vlerësimeve, BDI-ja me këtë i shmanget ndarjes së pushtetit me PDSH-në, sepse përfshirja e saj do të thotë që të ndahet pushteti me partinë e Thaçit, variant ky që në asnjë mënyrë nuk i konvenon Ahmetit dhe partisë së tij.
Abolimi i pjesshëm – karikaturë e dekriminalizimit
Përveç vendimit absurd për kthimin e qeverisë së vjetër, shumica parlamentare në pushtet miratoi edhe një vendim tjetër absurd: i dha të drejtë presidentit Gjorgje Ivanov që të mund t’i tërheqë vendimet e tij për faljen e personave të dyshuar për përfshirje në krim dhe vepra të kundërligjshme, por vetëm nëse pala ose personi i falur kërkon që Ivanovi ta tërheqë vendimin. Kjo falje e pjesshme i mundëson Ivanovit që të falë të dyshuar për krime të mëdha, si ish ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska, ose ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, të cilët vlerësohet se kanë qenë “truri” i veprimtarisë kriminale në VMRO-DPMNE. Edhe me mbështetjen e këtij hapi BDI-ja ishte në një vijë me VMRO-DPMNE-në, sepse LSDM-ja dhe opozita shqiptare kërkoi heqjen e plotë të vendimit absurd, që nuk ekziston në ndonjë vend tjetër të botës demokratike, pos ndoshta në Panama, Bjellorusi, Kore të Veriut ose në ndonjë vend tjetër diktatorial, ku edhe mund të ekzistojë.
Ky vendim gjithsesi se e ka nervozuar gjithë faktorin ndërkombëtar, i cili kërkonte heqjen e plotë të abolimit. Në këtë rast qëndrimi i miqve ndërkombëtarë u hodh në ujë. Falja e pjesshme, përveçse është në funksion të mbrojtjes së funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, është edhe në funksion të mbrojtjes së atyre të BDI-së, pasi Prokuroria Speciale Publike do të ngrejë padi penale ndaj të gjithë pushtetarëve që e kanë shkelur ligjin, pavarësisht se cilës parti u takojnë. Drejtësisë nuk do të mund t’i shpëtojë askush. Dikush më herët e dikush më vonë!