Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka treguar ecurinë e deritanishme të procesit të numërimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Sipas tij, numri i delegatëve të pranishëm ditën e sotme në Kuvendin Kombëtar, ka qenë mbi 7200 anëtarë, e nga këto, mbi 5.700 kanë votuar për këshillin e ri.
Sipas Gjanës, rezultati pritet të dalë pas mesnatës dhe risi është se në këshill, 90 anëtarë do të jenë femra dhe 45 do të jenë të zgjedhur nga forumi rinor i PD.
“Numri i delegatëve është mbi 7200. Nga sekretaria e Kuvendin, kanë qenë të pranishëm 5.703 nga delegatët. Në të 14 komisionet, rezulton që kanë marrë pjesë në votim rreth 69.8% e numrit të delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
Këto janë të dhënat e deritanishme, po vijon procesi për numërimin e komisioneve. Është një proces i gjatë, sepse dhe numri i kandidatëve është i madh, por shpresoj që pas mesnate, do të nxirret lista përfundimtare me 300 emra. Procesi zgjat pak, kjo është situata deritanishme. Shpresojmë të mësoni të dhënat përfundimtare nesër në mëngjes”, tha Gjana.



